Sport

Sahiti: Habitem se si mund të ndodhte kjo gjë para këtij momenti kaq të rëndësishëm


Drejtori i Përfaqësueses së Kosovës, Muharrem Sahiti, e ka mohuar që stërvitja e kombëtares së Kosovës ishte anuluar për shkak të ngjarjeve të fundit që rrodhën në Federatën e Futbollit të Kosovës.

I pari i FFK-së, Agim Ademi, u arrestua gjatë ditës së mërkurë, derisa disa media raportuan që Dardanët i anuluan stërvitjet për këtë rast.

Por, këtë e mohoi Sahiti, duke thënë se agjenda 2-3 ditore e kombëtares mund të ndryshojë, varësisht prej rrethanave.

“U habita për faktin që dikush ka bërë një postim që sot stërvitja pas dite është anuluar”, ka thënë Muharrem Sahiti në konferencën për media që u thirr nga FFK.

“Në fakt ndoshta ju e keni shikuar agjendën e mëhershme, ajo mund të ndryshojë, për atë duhet të shikohet agjenda ditore”, shtoi ai.

“Nuk kemi pasur aktivitet pas dite, ka qenë një aktivitet me dardanët, me klubin e dardanëve”.

“U habita për faktin që del një gazetar dhe e poston që është anuluar stërvitja për shkak të këtyre ngjarjeve që kanë ndodhë”, tha mes tjerash Sahiti lidhur me këtë rast.

Sahiti më tutje foli edhe për rastin e arrestimit të Ademit, derisa tha se kjo ngjarje nuk është dashur të ndodhë para këtij momenti kaq të rëndësishëm.

“Kemi filluar vitin me moton që ky është viti i kualifikimit në Evropian dhe të gjithë futbollistët janë të motivuar. Por, është shumë e habitshme që kjo ndodh pikërisht para pak ditëve me ndeshjen me Izraelin”, ka thënë Sahiti.

“Momenti si ka ndodhur nuk është aspak i mirë. Edhe pse ne lëmi për ta respektuar ligjin, por kjo është e padrejtë ndaj lojtarëve:

“Ne i respektojmë procedurat e shtetit, por forma dhe mënyra se si kanë reaguar organet e shteti është jo e duhur, pasi nuk ishte koha tani”.

“Synimi ynë është që ne të fokusohemi te ndeshjet që janë në prag dhe jo të merren lojtarët në pyetje ndaj tyre”, ka thënë mes tjerash Sahiti.

Kujtojmë që Kosova do t’i zhvillojë dy ndeshje në këtë muaj për kualifkimiet në Kampionatin Evropian.

Fillimisht të shtunën do të ballafaqohen në udhëtim te Izraeli, pastaj të martën do ta presin në “Fadil Vokrri” Andorrën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore