Lajme

SafeJournalists për deklaratën e Fitore Pacollit: Rrezik për lirinë e fjalës dhe demokracinë


Fitore Pacolli, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje.

Thirrjes së deputetes së Lëvizjes Vetevendojes, Fitore Pacollit, ndaj Qeverisë dhe Kuvendit për marrje të masave dhe kontroll ndaj mediave i ka reaguar edhe platforma rajonale e Ballkanit Perëndimor – Safe Journalist.

“Thirrja e hapur e deputetes Fitore Pacolli për ndërhyrje të drejtpërdrejtë të Qeverisë së Kosovës për t’i kontrolluar mediat, është e papranueshme, pasi po perceptohet edhe si rrezik për lirinë e fjalës dhe demokracinë”, thuhet në deklaratën e Safe Journalists.

Nga Safe Journalists është thënë se dënon çdo iniciativë të qeverive që synojnë kontrollin mbi median, pasi këto përpjekje janë të papranueshme në vendet demokratike.

“Çdo kërcënim ndaj lirisë së medias është kërcënim për interesin publik, demokracinë dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve”.

Safe Journalists përfaqëson më shumë se 8 mijë e 200 profesionistë të medias në Ballkanin Perëndimor.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe Këshill i Mediave të Shkruara të Kosovës, të cilët u shprehën të shqetësuar dhe e cilësuan si të rrezikshme për lirinë e medias në vend.

AGK dhe KMShK u shprehën se çfarëdo tentimi nga Qeveria e Kosovës për të ushtruar kontroll mbi mediat është tentativë e papranueshme për ndërhyrje në punë të mediave.

“Ky është kërcënim serioz i pushtetit aktual kundër mediave”, shkruan ata përmes një deklarate të përbashkët për media.

Kërkesa e deputetes në fjalë ka zgjuar reagimin edhe të drejtuesve të mediave të cilët e quajtën përpjekje për ndërhyrje në lirinë dhe përmbajtjen mediatike.

Më poshtë gjeni deklarimin e deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje në foltoren e Kuvendit të Kosovës:

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore