Lajme

Sabotuesit e hekurudhës bjelloruse, që penguan Rusinë gjatë sulmit në Ukrainë


Kur trupat ruse mësynë në territorin e Ukrainës nga Bjellorusia, ata mendonin se do të kishin të bënin me një sulm blic në Kiev, duke u mbështetur edhe tek sistemi hekurudhor bjellorus për furnizime dhe armatime.

Vetëm se Moska, nuk kishte marrë parasysh sabotuesit e Bjellorusisë.

Që prej ditëve të para të sulmit, në fund të shkurtit, një rrjet klandestin i punonjësve hekurudhorë, hakerëve, forcave speciale disidente, u fut në veprim për të shkaktuar dëme në lidhjet hekurudhore të Rusisë, të cilat kalonin nga Bjellorusia drejt Ukrainës, në kufirin verior.

Këto sulmet nuk patën jehonë të madhe jashtë Bjellorusi sipas medias prestigjioze amerikane “Washington Post”, përcjell Albanian Post.

Gjaku i derdhur në qytete të ndryshme, rezistenca e Ukrainës apo tërheqja e Moskës nga çdo territor përveç lindjes, shkaktoi më shumë zhurmë.

Por sabotuesit e hekurudhës bjelloruse, fare mirë mund të pretendojnë rolin e tyre në pengimin e logjistikës ruse dhe në kaosin që shkaktoi mungesa e ushqimeve, karburantit apo armatimeve, që prej ditëve të para të pushtimit.

Alexander Kamyshin, kreu i Hekurudhës së Ukrainës, ka shprehur mirënjohje të madhe për sabotuesit e Bjellorusisë. “Ata janë të guximshëm dhe njerëz të ndershëm”, deklaroi ai.

Sulmet ishin të thjeshta, por shumë efikase. Ato shënjestronin kryesisht sinjalin e kontrollit në kabina dhe funksionimin e shinave ku kalonin trenat në përgjithësi.

Për ditë me radhë, lëvizja e trenave u paralizua tërësisht, duke i detyruar forcat ruse të zgjidhnin rrugën tokësore për furnizimin e batalioneve. Këtu u shkaktua edhe ngjarja e bujshme e karvanit ushtarak prej 40 miljesh në veri të Kievit, i cili kurrë nuk arriti të futej në kryeqytet, raporton Albanian Post.

Se sa mund t’i shkojë merita më e madhe sabotuesve të Bjellorusisë apo paaftësisë organizative ruse, kjo nuk dihet.

Por, minimalisht, sot dihet se një grupim i tillë ka funksionuar dhe (sado pak) ka ndikuar në rezultatin e luftës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore