Stil

Sabato De Sarno emërohet drejtor i ri kreativ i Gucci-t


Dizajneri italian Sabato De Sarno është emëruar drejtori i ri kreativ i Gucci.

Ai do të zbulojë koleksionin e tij të parë gjatë Javës së Modës në Milano shtatorin e ardhshëm.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia “Associated Press”, duke cituar njoftimin e Gucci-t dhe kompanisë mëmë Kering.

De Sarno ka punuar më parë për Prada, Dolce & Gabbana dhe Valentino, ku së fundmi ishte drejtor i modës duke mbikëqyrur koleksionet e burrave dhe grave.

“Jam i kënaqur që Sabato do t’i bashkohet Gucci-t si drejtori i ri kreativ i shtëpisë, një nga rolet më me ndikim në përvojën e luksit”, tha CEO i Gucci, Marco Bizzarri, duke vënë në dukje përvojën e tij “me një numër të shtëpive më të njohura të modës luksoze në Itali”.

Spekulimet kanë qenë të përhapura në botën e modës se kush do të pasonte Alessandro Michele pasi ai u largua nga roli papritur vjeshtën e kaluar, pas gati tetë vitesh në të cilat ai ripërcaktoi kodet e markës me pamje gjinore, romantike dhe eklektike.

Ashtu si Michele kur u promovua nga ekipi i brendshëm në vitin 2015, De Sarno është një person relativisht i panjohur në botën e gjerë të modës, pasi ka punuar kryesisht në prapaskenë.

De Sarno, me origjinë nga Napoli, do t’i bashkohet Gucci-t sapo të përfundojë detyrimet aktuale dhe do të jetë përgjegjës për të gjitha koleksionet e markës: për femra, meshkuj, artikuj lëkure, aksesorë dhe stilin e jetesës.

Ndërkohë, koleksionet e Gucci, duke përfshirë koleksionin e veshjeve të grave Vjeshtë-Dimër 2023-2024, që do të shfaqen muajin e ardhshëm në Milano, janë duke u dizajnuar nga ekipi i brendshëm.

De Sarno tha se ishte “i prekur dhe i emocionuar për të kontribuar në vizionin tim krijues për markën”, për të cilin ai tha se “ka qenë në gjendje të mirëpresë dhe vlerësojë vlerat në të cilat besoj”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore