Shqipëria

Sa kushton dija në kryeqytet?


Universiteti shënjon një vendimmarrje të rëndësishme në jetën e gjithsecilit. Të diplomohesh nënkupton qasje për punë më të mirë, fitime më të larta dhe më shumë siguri financiare.

Shkollimi është faza, gjatë të cilës has një sërë sfidash, por edhe një rrugë të tejmbushur me kthesa dhe, që shpesh, nuk është e lehtë. Të arsimohesh, të diplomohesh në një fakultet, për një familje do të thotë një përllogaritje delikate e financave familjare.

Albanian Post ka pyetur disa studentë, të cilët tregojnë se sa para u është dashur të shpenzojnë, që të ndjekin studimet e tyre në kryeqytet.

Davide, i diplomuar në Marrëdhënie me Publikun dhe Komunikim, për Albanian Post thotë se totali i shpenzimeve në një vit shkonte diku te 400 mijë lekë.

“Duke qenë se kam ndjekur shkollimin në universitet privat, viti shkollor kushtonte 2 mijë e 500 euro”.

Ai tha edhe se, fakti që jetonte në Tiranë, e kishte favorizuar disi ekonomikisht që të mos shpenzonte para për ushqime dhe qira.

“Afërsisht, shpenzimet ditore i kisha 3 deri në 5 mijë lekë. Përfshirë këtu kafetë dhe cigaret”, tregon ai.

Shkollimi i Davides ka zgjatur 4 vite e gjysmë, me një total prej 1 milionë e 850 mijë lekë.

Nga ana tjetër, studentja nga Lushnja, Florida, e cila studion në të njëjtën degë si Davide, na tregon se shpenzimet e saj ishin më të mëdha.

Duke filluar nga 8 mijë lekë në muaj qira dhe 1 mijë e 500 lekë në ditë shpenzime, ajo llogariste një total prej 700 mijë lekësh në vit.

Këtu llogariten edhe mjetet shkollore dhe udhëtimet vajte-ardhje në qytetin e saj të lindjes.

Po të llogarisim shpenzimet e Floridës për 4 vite e gjysmë shkollim, tarifa e saj ka shkuar diku te 3 milionë e 100 mijë lekë.

Më sipër paraqitëm dy rastet e dy të rinjve të diplomuar në universitetet private. Lind pyetja, po tarifat e studentëve që ndjekin universitetet shtetërore?

Në dhjetor të 2018-s filluan protestat e para të studentëve, të cilat zgjatën deri në janar të 2020-s. Një ndër kërkesat e tyre ishte edhe ulja e tarifave shkollore.

Një ndryshim u bë. Çmimet e programeve Bachelor u përgjysmuan për ata që e kishin mesataren mbi notën 6 dhe u hoqën fare për studentët ekselentë (ata që e kishin notën mesatare mbi 9).

Për Albanian Post u prononcua edhe Romario, i ardhur nga Ballshi dhe i diplomuar në degën e gjeografisë te Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë.

Tarifa shkollore për tre vite Bachelor ishte 120 mijë lekë dhe 150 mijë lekë dy vite master shkencor.

Nga kjo del se 270 mijë lekë në total është vetëm kostoja e studimeve. Por, Romario ka edhe nevoja të tjera. Ai tha se i janë dashur diku tek 50 mijë lekë mjete shkollore dhe mbi 20 mijë lekë të tjera për ekspedita mësimore.

Po të llogarisim edhe shpenzimet ditore ato arrijnë diku tek 1 mijë lekë.

Qiraja mujore, bashkë me shpenzimet për shtëpinë, kanë qenë nga 9 deri në 10 mijë lekë në muaj.

Për 5 vite, totali i shpenzimeve për Romarion është llogaritur mbi 1 milion e 600 mijë lekë.

Shënimet e një prindi për shpenzimet e të birit gjatë pesë viteve shkollimi në Tiranë

 

Për dy studentet e arkitekturës, Denisa dhe Fabiola ka një veçori tjetër. Ata filluan studimet në vitin 2018 dhe janë prekur nga përgjysmimi i tarifës së shkollës.

Problemi i tyre financiar ishin mjetet shkollore.

Denisa kishte ruajtur pothuajse të gjithë librat dhe mjetet shkollore të blera gjatë viteve të shkollimit. Vlera totale e tyre, tha ajo, ishte diku te 50 mijë lekë në vit ose e thënë ndryshe rreth 150 mijë lekë gjatë gjithë programit Bachelor.

Shpenzimet ditore për të gjithë studentët e pyetur, që jetojnë në rrethe, por studiojnë në Tiranë, ishin afërsisht 1 mijë lekë.

Të njëjtën shifër shpenzimi ditor thanë edhe Ermiri, me vendbanim në Përrenjas, student i degës së farmacisë në Universitetin e Shkencave Mjekësore, dhe Jorgi nga Korça, që studion inxhinieri hidroteknike pranë Universitetit të Tiranës.

Nga të dhënat e parashtruara, jeta për një student të rretheve që studion në Tiranë nuk është e lehtë.

Përveç tarifës shkollore dhe pagesës së librave, mbi ta ndikon qiraja e shtëpisë dhe ushqimet e përditshme.

Shumica prej tyre, përveç shkollës, i drejtohen edhe punës part-time. Kjo për t’i dalë zot vetes.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore