Kosova

Sa i pasur është Kabineti Kurti II?


ilustrim.

Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) ka publikuar regjistrat e deklarimit të pasurisë për zyrtarët e lartë publik për vitin 2021.

Bazuar në publikim në fjalë Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka pasuri të paluajtshme prej 400 mijë euro, 529 euro e 26 cent para të gatshme dhe rreth 300 mijë euro detyrime në emër të bashkëshortes.

Ai gjithashtu paguan edhe qira me vlerë 250 euro.

Kryeministri Kurti gjithashtu ka deklaruar se merr 1 mijë e 305 euro pagë nga Qeveria për detyrën e tij si shef i Ekzekutivit.

Ai pagë merr edhe nga Lëvizja Vetëvendosje, ku është kryetar, për periudhën janar – mars të këtij viti Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje, ka marrur 4 mijë e 200 euro.

Në anën tjetër sipas deklarimeve të bëra në AKK, Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, posedon pasuri të paluajtshme në vlerë prej 448 mijë euro.

Bislimi, ka deklaruar se posedon një shtëpi të blerë me kredi që kap vlerën prej 260 mijë euro, banesë e blerë në vlerë prej 120 mijë euro, një tjetër banesë e blerë me kredi në vlerë prej 48 mijë euro që është pronë e bashkëshortes së tij, dhe një shtëpizë pushimi në vlerë 20 mijë euro.

Zëvendëskryeministri ka dy vetura, njëra pronë e tij dhe tjetra e bashkëshortes, në vlerë totale prej 23 mijë euro.

Sipas deklarimeve, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka 120 mijë euro pasuri të paluajtshme.

Ministrja në AKK gjithashtu ka deklaruar se posedon një truall me shtëpi banimi në vlerë 100 mijë euro, po ashtu tokë pyjore në vlerë 10 mijë euro dhe tokë bujqësore në vlerë 10 mijë euro. Të tria këto pasuri janë trashëgimi familjare.

Gërvalla posedon edhe një veturë të tipit Toyota Avensis në vlerë 10 mijë euro.

Sipas raportit të deklarimit në AKK, ministrja e Jashtme e Kosovës në dy banka në Gjermani posedon para të gatshme në vlerë prej 13 mijë e 598 euro.

Vartësja e tretë e kryeministrit Kurti, Emilija Rexhepi, ka deklaruar se ka tokë të trashëguar me vlerë prej 470 mijë euro. Ajo posedon një veturë Mercedes E Class në vlerë prej 15 mijë euro.

Nga të hyrat vjetore, Rexhepi thotë se ka mbi 17 mijë euro, kurse 3,800 euro janë nga mëditjet.

Pasurinë e ka deklaruar edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Sipas deklarimit të pasurisë në AKK-së, Vitia ka raportuar se ka një shtëpi të trashëguar me sipërfaqe 250 metra katror me vlerë 150 mijë euro dhe një truall me sipërfaqe 15 ari po ashtu të trashëguar, me vlerë 250 mijë euro.

Ai ka një veturë Mazda të cilën e ka blerë nga kursimet dhe huamarrja në vitin 2013 me vlerë 12 mijë euro, dhe një veturë Suzuki të cilën e ka blerë me kredi bankare në vitin 2018 me vlerë 15 mijë euro.

Ministri ka deklaruar 6 mijë e 523 euro e 29 cent para të gatshme të mbajtura në institucionet financiare dhe 2 mijë e 488 euro e 71 centë para të gatshme të bashkëshortes.

Pasuria e paluajtshme e ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu, kap shifrën gjithsejtë 75 mijë euro, ku prej tyre 60 mijë euro shitja e tokës dhe 15 mijë euro trashëgimi.

Haxhiu gjithashtu posedon një veturë me vlerë 9 mijë 700 euro si dhe 1 mijë e 198 euro para të gatshme në institucionet financiare.

Në anën tjetër Xhelal Sfeçla, si ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike ka një pasuri prej 1 milion e 950 mijë euro nga pasuria e përbashkët familjare

Ai posedon një veturë me vlerë 4 mijë euro para të gatshme 3,298 euro si dhe detyrime financiare 6 mijë e 767 euro.

Bazuar në publikim e AKK-së, shihet se Ministra e Ekonomisë Artane Rizvanolli – Berisha, ka një pasuri të pa luajtshme me vlerë 75 mijë euro si dhe një veturë me vlerë 18 mijë euro.

194 mijë 981 euro Rizvanolli posedon para të gatshme të mbajtura në institucionet financiare.

Liburn Aliu si ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka një pasuri prej 15 mijë euro dhe 85 mijë euro në emër të bashkëshortes.

Ai gjithashtu posedon një veturë me vlerë 6 mijë e 500 euro.

Në anën tjetër Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka deklaruar në AKK se ka kredi prej 175 mijë euro në emër të blerjes së shtëpisë.

Ministri Mehaj thotë se ka mbi 900 mijë euro pasuri të paluajtshme, që janë edhe të trashëguara.

Për sa i përket kursimeve, ai thotë se ka 10 mijë euro në emër të tij, 12 mijë euro në emër të fëmijëve dhe 1,700 euro në emër të bashkëshortes.

Mehaj gjithashtu posedon një veturë Citroën në vlerë prej 2 mijë euro në emër të bashkëshortes.

Arbërie Nagavci, ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit posedon një pasuri të paluajtshme  70 mijë euro nga pasuria e përbashkët familjare.

Ajo posedon gjithashtu veturë me vlerë 18 mijë euro dhe para të gatshme 2,148 euro.

Pasuria e paluajtshme e Elbert Krasniqi ministrit të Administrimit dhe Pushtetit Lokal është 225 mijë euro e cila është pasuria e përbashkët familjare.

Ai gjithashtu posedon një veturë me vlerë prej 17 mijë euro si dhe 5 mijë e 500 euro para të gatshme në institucionet financiare.

Goran Rakiq, si ministër për Komunitete dhe Kthim ka një pasuri të paluajtshme me vlerë 445 mijë euro nga pasuria e përbashkët familjare

Vetura e tij kushtonë 10 mijë euro dhe ai posedon 50 mijë euro para të gatshme.

Ndërsa, detajet rreth deklarimit të pasurisë së katër ministrave të qeverisë Kurti nuk mund të qasen për shkaqe teknike në web faqen e Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore