Lajme

Rusia së shpejti do të ketë mbi 120 mijë trupa në kufijtë me Ukrainën


Së shpejti Rusia do të ketë më shumë se 120 mijë trupa në kufirin e Ukrainës, tha të martën ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba, duke kërkuar sanksione të reja ekonomike perëndimore ndaj Moskës.

Kyiv, Washingtoni dhe NATO janë alarmuar nga grumbullimi i madh i trupave ruse pranë Ukrainës dhe në Krime, gadishullin që aneksoi Moska nga Ukraina në 2014.

Zyrtarët perëndimorë thonë se përqendrimi i forcave tani është më i madh sesa përgjatë aneksimit.

“Trupat ruse vazhdojnë të mbërrijnë në afërsi të kufijve tanë në verilindje, në lindje dhe në jug. Për një javë, ata pritet të arrijnë një forcë të kombinuar prej mbi 120 mijë ushtarësh”, tha Kuleba në një konferencë shtypi në internet.

“Kjo nuk do të thotë që ata do të ndalojnë grumbullimin e forcave të tyre në atë numër”, tha Kuleba, duke paralajmëruar atë që ai tha se ishte e paparashikueshme nga Moska, megjithëse ai tha se Ukraina nuk dëshironte konflikt me Rusinë.

Diplomati i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha të hënën e 19 prillit se Rusia kishte përqendruar më shumë se 150 mijë trupa në kufirin e Ukrainës dhe në Krime.

Kuleba gjithashtu bëri thirrje që Moska të ri-angazhohet për një armëpushim në Ukrainën lindore, ku Rusia ka mbështetur forcat separatiste në një konflikt që filloi në 2014.

Rusia ka thënë që grumbullimi është një stërvitje e shpejtë ushtarake tre javore për të provuar gatishmërinë luftarake në përgjigje të asaj që ajo e quan sjellje kërcënuese nga NATO. Ajo ka thënë që ushtrimi do të përfundojë brenda dy javësh.

Kuleba ndoqi një konferencë me video me ministrat e jashtëm të BE-së dhe ai haptazi “u bëri thirrje kolegëve të fillojnë të shqyrtojnë një raund të ri të sanksioneve sektoriale kundër Rusisë”.

Ai tha se nuk ndjente se ministrat e BE-së ishin të gatshëm për një veprim të tillë por ai u tha atyre se sanksionet individuale ndaj zyrtarëve rusë ishin të pamjaftueshme.

Ndërtimi i ngjarjeve

Rajoni i Donbas-it dhe Krimesë vazhdojnë të jenë burim tensioni për raportet SHBA-Evropë-Rusi.

NATO dekretoi të martën e 13 prillit grumbullimin më të madh të trupave ruse në kufirin lindor të Ukrainës, ndërsa Kremlini kritikoi mbështetjen e Washington-it për Kievin.

Tensionet midis Rusisë dhe Perëndimit u ngritën për shkak të frikës se Moska po përpiqet të përshkallëzojë konfliktin e saj me Ukrainën për rajonin e Donbas-it.

Rusia ka paralajmëruar NATO-n ndaj dërgimit të trupave ushtarake për të ndihmuar Ukrainën. Këto paralajmërime, vijnë pas një raporti mbi zgjerimin e ushtrisë ruse në kufi me Ukrainën.

Zëdhënësi për shtyp i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se “Rusia do të merrte masa shtesë nëse NATO përpiqet të ndihmojë ukrainasit”.

Rusia thotë se lëvizjet e trupave nuk paraqesin kërcënim dhe janë thjesht masa mbrojtëse, duke i përshkruar si përgatitje për stërvitje të rregullta. Moska ka thënë gjithashtu se njësitë ushtarake do të qëndrojnë atje, për sa kohë që e gjykon të arsyeshme.

Ndërsa Moska ka mohuar në mënyrë të përsëritur ndërhyrjen në Donbas, Ukraina dhe disa vende perëndimore kanë thënë se forcat separatiste në rajon janë armatosur, udhëhequr, financuar dhe ndihmuar nga Rusia.

Përshtatur nga Reuters për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore