Lajme

Rusia nuk do t’i përdorë armët bërthamore, sipas diplomatit në Britani


Ambasadori i Rusisë në Britaninë e Madhe, Andrei Kelin, ka deklaruar për median shtetërore britanike BBC se Moska nuk ka ndërmend të përdorë armët bërthamore në luftën kundër Ukrainës.

I vetmi parakusht për vënien e tyre në punë sipas tij, do të ishte vetëm një rrezik ekzistencial për Rusinë.

Nga ana tjetër, Kelin shpalosi sërish në publik versionin zyrtar të Kremlinit, se ushtarët rusë nuk po i sulmojnë civilët ukrainas në asnjë lloj mënyre apo forme. Aq më pak me bombardime.

Mirëpo, ashtu si është parë dhe vërtetuar shpesh herë, faktet reflektojnë të kundërtën.

Sërish, diplomati i qëndroi versionit se të gjitha masakrat e pretenduara, përfshi ajo në Bucha, janë thjesht “fabrikime dhe manipulime”.

Kjo, edhe pse dëshmitarët e ngjarjeve, vetë banorët në Bucha, përcaktojnë krejt të kundërtën me rrëfimet e tyre rrëqethëse.

Vënia në gatishmëri e armëve bërthamore ruse shkaktoi shqetësim global, për shkak të frikës se ato mund të viheshin në përdorim.

Megjithatë, duket se tashmë gjasat që të kemi një luftë bërthamore janë ndjeshëm më të ulëta se sa në fillimet e luftës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore