Lajme

Rusia mohon pretendimet për përparim të Ukrainës në vijën e parë të luftës


Raportimet për një përparim ukrainas në vijën e parë të luftës janë mohuar nga Rusia edhe pse pretendimi është bërë nga burime pro-ruse.

Kremlini mohoi se Ukraina kishte bërë ndonjë përparim të rëndësishëm.

Në një deklaratë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se “deklaratat individuale në Telegram për një përparim në disa pika në vijën e frontit nuk korrespondojnë me realitetin”.

“Situata e përgjithshme në zonën e operacionit special ushtarak është nën kontroll”, vijon deklarata, duke përdorur termin rus për pushtimin.

Instituti për Studimin e Luftës tha se forcat ukrainase ndoshta kishin arritur përfitime në qytetin lindor të Bakhmut-it, duke i detyruar trupat ruse të kthehen në disa zona të frontit me rreth dy kilometra.

Të premten në mëngjes, kryetari i bashkisë së Melitopol-it raportoi për një shpërthim të madh në qendër të qytetit në juglindje të Ukrainës, i cili është pushtuar nga Rusia që nga fillimi i luftës.

Nuk dihet se çfarë e shkaktoi shpërthimin. Por forcat ajrore të Ukrainës bënë 14 sulme ndaj forcave dhe pajisjeve ushtarake ruse të enjten, thanë forcat e armatosura të Ukrainës.

Krahas sulmeve ajrore, Ukraina tha se shkatërroi nëntë dronë rusë dhe kreu sulme të suksesshme në dhjetëra objektiva ushtarakë – duke përfshirë njësi artilerie, një depo municionesh dhe pajisje të mbrojtjes ajrore.

Presidenti i Ukrainës tha se ishte shumë herët për të filluar një kundërofensivë.

Kurse shefi i Wagner Prigozhin – i cili është përplasur vazhdimisht me autoritetet ruse – tha se situata në Bakhmut po zhvillohej në përputhje me skenarët më të keq të parashikuar.

“Territoret që kemi marrë prej shumë muajsh me çmimin e gjakut dhe jetës së vëllezërve tanë, duke mbuluar dhjetëra apo qindra metra në ditë, tashmë po braktisen, praktikisht pa luftë”.

Korrespondenti rus i luftës pro-Kremlinit Sasha Kots pohoi se kundërofensiva e shumëpritur e Kievit kishte filluar.

Tanket ukrainase ishin në unazën e Kharkiv-it duke u nisur drejt kufirit me Rusinë, tha ai.

“Kievi ka vendosur të përkeqësojë situatën përgjatë frontit verior paralelisht me fillimin e veprimeve sulmuese në krahët e Artyomovsk, Bakhmut”.

Një tjetër korrespondent rus i luftës, Alexander Simonov, shkroi në Telegram se forcat ukrainase kishin depërtuar pranë fshatit Bohdanivka, afër Bakhmut, duke marrë disa kilometra katrorë tokë.

Analisti ushtarak ukrainas Oleksandr Musivenko tha se Kievi e kuptoi se kundërofensiva e parashikuar nuk mund të mposhtte domosdoshmërisht Rusinë “në të gjitha zonat e okupuara”.

Sipas tij, ka çdo mundësi që lufta të vazhdojë vitin e ardhshëm.

“Gjithçka varet nga mënyra se si zhvillohen betejat. Ne nuk mund të garantojmë se si do të zhvillohet kundërofensiva”, tha ai.

Që kur Rusia pushtoi Ukrainën më 24 shkurt të vitit të kaluar, mijëra civilë dhe luftëtarë janë vrarë ose plagosur, qytete dhe qyteza janë shkatërruar në luftime dhe rreth 8.2 milionë ukrainas janë regjistruar si refugjatë në Evropë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore