Lajme

Rusia fajëson SHBA-në dhe BE-në për situatën në Veri


Maria Zakharova

Federata Ruse i ka akuzuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian për situatën e krijuar në Veri të Kosovës, duke thënë se po e shikonin të gjithë ngjarjen me “shqetësim”, ku pati përplasje në mes të Policisë – të cilët po asistonin për t’i futur në zyrat e tyre kryetarët e Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit – dhe serbëve lokalë.

“Ne dënojmë me vendosmëri hapat provokues të Prishtinës, të cilat e kanë sjellë situatën afër fazës së nxehtë dhe kërcënojnë drejtpërdrejt sigurinë e të gjithë rajonit të Ballkanit”, ka thënë këtë të shtune zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, transmeton media britanike, “Reuters”.

“Përgjegjësia për këtë është plotësisht e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian”, shtoi ajo.

Ndërkaq, Zakharova theksoi se qortimet e Kosovës nga “ndërmjetësuesit perëndimorë kishin ardhur shumë vonë”.

Përkundër këtyre akuzave të Rusisë, vendet perëndimore njëzëri kanë kritikuar veprimet e Qeverisë së Kosovës për t’i vendosur në zyrat e tyre kryetarët e komunave Veriore, duke shkaktuar tensione në atë pjesë të Kosovës, për shkak të kundërshtimeve të serbëve lokalë.

Në komunikatën e lëshuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, u tha se ShBA-të “dënojnë ashpër veprimet e Qeverisë së Kosovës për të hyrë me forcë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës”.

“Veprime që ajo ndërmori kundër këshillave të Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë të Kosovës”.

Nga DASH kanë bërë me dije se “këto veprime kanë përshkallëzuar në mënyrë të mprehtë dhe të panevojshme tensionet, duke minuar përpjekjet tona për të ndihmuar në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

“Do të kenë pasoja për marrëdhëniet tona dypalëshe me Kosovën”, thuhet në komunikatën e tyre.

Tutje, DASH i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti,  “që të ndryshojë kursin dhe të gjitha palët të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm që do të ndezë tensionet dhe do të nxisë konfliktin”.

Ndërsa, Bashkimi Evropian përmes një komunikate për media u tha se “BE-ja dënon ashpër përleshjet me policinë e Kosovës dhe protestuesit në veri të Kosovës, të iniciuara nga tentativa e kryetarëve të sapozgjedhur të komunave për të hyrë në ndërtesat komunale”.

“Ne dënojmë fuqishëm sulmet ndaj patrullave të misionit civil të BE-së në Kosovë, EULEX. EULEX-it duhet t’i lejohet të zbatojë mandatin e tij në mënyrë paqësore”, kanë thënë nga BE-ja.

Ndërkaq, theksohet se “të gjithë duhet të ndërmarrin veprime për të de-përshkallëzuar situatën e tensionuar dhe për të rivendosur qetësinë menjëherë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore