Aplikacione

Rusia akuzon SHBA-në për konkurrencë të padrejtë


Rusia ka akuzuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për konkurrencë të padrejtë në IT dhe censurim arbitrar të përmbajtjes së mediave sociale.

Agjencia e lajmeve, Reuters, tregon se këtë javë Rusia ka ngadalësuar shpejtësinë e platformës Twitter për shkak se dështoi në fshirjen e përmbajtjeve të ndaluara.

Lëvizja e Rusisë kundër medias sociale amerikane nuk ndali me kaq. Ajo kërcënoi me bllokim tërësor të Twitter-it çka do të përshkallëzonte mosmarrëveshjet midis Moskës dhe firmave të mëdha teknologjike të SHBA-së.

Në krahun tjetër, Twitter-i po etiketon disa media ruse si “media të lidhura me shtetin”. Mirëpo, një gjë e tillë është ‘qortuar’ nga Moska.

Vladimir Putin, presidenti i Rusisë, në muajin dhjetor ka nënshkruar ligje që i delegojnë Rusisë kompetenca të reja lidhur me kufizimin e mediave sociale amerikane.

Maria Zakharova, zëdhënësja e ministrisë së jashtme ruse, ka shkruar në platformën Facebook se platformat “në parim, nuk kanë standarde të unifikuara për të menaxhuar vetveten. Ky është një ngërç semantik dhe teknologjik”.

Ajo ka shtuar se “përmbajtja digjitale censurohet në mënyrë arbitrare dhe pa dallim nga moderatorë të caktuar pa vendimin e gjykatës ose të ndonjë autoriteti përkatës kompetent”.

Lidhur me këtë, Twitter-i ka shprehur shqetësimin për përpjekjet e vazhdueshme për të bllokuar dhe ‘mbytur’ bisedat publike online. Kjo për arsye se përpjekjet ndikonin te fjala e lirë.

Por, Zakharova është shprehur bindshëm se ‘qëllimi i Washington-it është i qartë: të përdorë mundësitë e IT-së për konkurrencë të padrejtë në të gjitha sferat”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore