Lajme

Rusi-Ukrainë: Blinken zotohet për diplomaci ‘të pamëshirshme’


Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, të mërkurën e 19 janarit tha se Rusia mund të nisë një sulm të ri ndaj Ukrainës në një njoftim shumë të shkurtër.

Përgjigjja dhe zotimi i tij ishte se Washington-i zyrtar do të ndjekë diplomacinë për aq kohë sa të mundet.

Diplomati i lartë amerikan tha se qytetarët ukrainas duhet të përgatiten për ditë të vështira.

Blinken ofroi ndihmë mbrojtëse për Kievin zyrtar dhe rinovoi premtimin për sanksione të rënda kundër Rusisë në rast të një pushtimi të ri.

Sekretari amerikan po përgatitet për një takim me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, të premten e 21 janarit.

Vizita

Kryediplomati amerikan mbërriti në Ukrainë mëngjesin e 18 janarit.

Kjo, mes frikës në rritje se një pushtim rus atje mund të jetë i afërt.

Blinken zhvilloi diskutime me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Kiev.

Rusia, nga ana tjetër, ka mohuar në mënyrë të përsëritur çdo plan për të nisur një sulm ndaj Ukrainës fqinje.

Megjithatë, zyrtarë të lartë amerikanë thanë se Moska mund ta nisë pushtimin në “çdo moment”.

Turneu diplomatik pason bisedimet jopërfundimtare midis Moskës dhe vendeve perëndimore javën e kaluar.

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, ka sinjalizuar tashmë se çdo përshkallëzim i mëtejshëm “do të kishte një çmim të lartë për regjimin rus”, gjatë një vizite në Kiev.

Por ministri i mbrojtjes i Ukrainës, Oleksii Reznikov, u kërkoi Qeverive perëndimore të vendosin sanksione të menjëhershme ndaj Moskës.

Kriza në Ukrainë

Kriza e Ukrainës është një luftë për pushtet midis fraksioneve brenda saj. Njëri prej fraksioneve dëshiron të rreshtohet me Bashkimin Evropian dhe tjetri me Rusinë.

Si një nga shtetet themeluese të Bashkimit Sovjetik, Ukraina ka qenë një kontribues i rëndësishëm në ekonominë e Bashkimit Sovjetik midis viteve 1920–1991.

Në mars të vitit 2014, kriza aktuale shpërtheu kur forcat speciale ruse pushtuan gadishullin e Krimesë të Ukrainës.

Rusia pretendoi se po mbronte hyrjen e saj në portit e Detit të Zi.

Ukraina kishte planifikuar të zhvillonte rezervat e gazit natyror të Krimesë në dy vite në një partneritet me kompanitë amerikane.

Nëse do ta kishte arritur këtë, Rusia do të kishte humbur një nga klientët e saj më të mëdhenj.

Midis 2014–2018, një konflikt ushtarak midis ushtarëve ukrainas dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia vazhdoi në Ukrainën lindore. Më shumë se 10 mijë njerëz u vranë.

Kritikët në takimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së thanë se sulmi i Rusisë ishte një shkelje sipas ligjit ndërkombëtar.

Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) rriti praninë e saj ushtarake në zonë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore