Bota

Rusi/ Protesta masive për lirimin e Navalny-t


Rusia është përfshirë nga një valë protestash të organizuara prej mbështetësve të opozitarit rus, Alexei Navalny. Thirrjet për lirimin e tij nga burgu kanë pushtuar rrugët e qyteteve kryesore ruse.

Potestat nisën në qytetin lindor të Vladivostok-ut. Më pas janë shtrirë në shumë të tjerë përgjatë gjithë Siberisë. Mendohet se rreth 90 qytete janë nën ethet e vërshimit të simpatizantëve të Navalny-t në rrugë.

Kulmi i protestës ka arritur kur turrma moskovite, është mbledhur në sheshin Pushkin. Protestuesit janë ndeshur me forca të shumta policore. Këta të fundit, kanë filluar të kryejnë arrestime edhe përpara nisjes zyrtare të protestës.

Temperaturat deri në -53 gradë Celsius, nuk i kanë ndaluar rusët të dalin në mbrojtje të Navalny-t. Sipas raportimeve të agjencive të pavarura mediatike në Rusi, deri tani janë arrestuar mbi 800 protestues.

Ministria e Punëve të Brendshme në Rusi ndërkohë, nxorri një deklaratë ku theksonte se “rreth 4 mijë njerëz ishin mbledhur në Moskë”. Kjo shifër, është publikuar rreth 40 minuta përpara nisjes së protestës. Për këtë shkak, janë hedhur hamendësime se shifrat e qeverisë ruse, nuk janë të sakta.

Turma e njerëzve në Shën Petersburg, ka çarë murin policor, duke shkuar në përleshje fizike.

Si nisën protestat?

Prej dy ditësh, profilet e mediave sociale të kritikut të Kremlinit, kanë qenë të tejmbushura me thirrje për dalje në protesta. Organizimi më i madh, ka qenë ai i komunitetit në TikTok. Videot për Navalny-n kanë marrë mbi 300 milionë shikime ditët e fundit.

Një numër i lartë adoleshentësh, postonin duke bërë thirrje për të protestuar për lirinë e vendit. Në protestat që po ndodhin, ka aktualisht me mijëra adoleshentë rusë që janë në rrugë.

“I kërkova tim biri të mos dilte për të mbrojtur Navalny-n”, deklaron për Sky News një grua ruse. “Ai më tha se duhet të dilte për të mbrojtur lirinë e tij. Të brezit të tij. Ai është vetëm 16 vjeç dhe kam frikë se mund t’i ndodhë diçka”.

Pamje të dhunimit të adoleshentëve nga ana e policisë po qarkullojnë në media sociale. Policët rusë, të pajisur me shkopinj gomash, po kërkojnë neutralizimin e turrmës.

Gjithë kjo situatë në Rusi, është pasojë e konfliktit tashmë disa vjeçar, Navalny-Putin. Me kthimin e Navalny-t në Moskë, situata është përkeqësuar ditë pas dite.

Një video ku Navalny pretendon se demaskon presidentin rus, Vladimir Putin, është parë thuajse 70 milionë herë në vetëm tre ditë. Publikimi i videos erdhi një ditë pas vendimit nga gjykata ruse, për të dënuar me 30 ditë burg kundërshtarin e Kremlinit.

Mbetet për t’u parë se si do të menaxhohet situata nga ana e policisë dhe si do të përshkallëzojnë protestën qytetarët. Nuk ka ende një vendim nëse Navalny do të lirohet nga burgimi apo jo./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore