Lajme

Rusi/ Arrestohet mbrojtësja e të drejtave të emigrantëve në aeroportin e Moskës


Në Rusi, forcat e sigurisë kanë arrestuar mbrojtësen e të drejtave të emigrantëve, Valentina Chupik, në aeroportin Sheremetyevo të Moskës.

E përditshmja, “Radio Liberty”, shkruan se Chupik, e cila drejton qendrën e emigrantëve “Sunrise of the World”, ka thënë se autoritetet kishin sekuestruar dokumentet e saj.

Autoritetet kishin njoftuar edhe se ajo ishte privuar nga statusi i saj i refugjatit që nga data 17 shtator.

Chupik gjithashtu është ndaluar të hyjë në Rusi për 30 vjet.

Ajo u dërgua në një qendër të veçantë paraburgimi në aeroport mes shqetësimeve se mund të dëbohej në Uzbekistan, ku mund të përballej me torturat.

“Po qëndroj në një qendër të posaçme paraburgimi në aeroportin Sheremetyevo, Terminali F. Nuk është e qartë se ku do të më çojnë”, ka thënë Chupik për të përditshmen ruse, “Novaya Gazeta”.

Dhe më vonë, ajo e ka ndërprerë komunikimin.

Sipas “Radio Liberty”, Chupik ishte kthyer në Rusi nga një udhëtim në Armeni.

Aktivistja për të drejtat e njeriut u zhvendos në Rusi nga Uzbekistani pas goditjes së përgjakshme të protestave antiqeveritare në vitin 2005 në qytetin lindor të Andijon-it.

Ajo ishte e vendosur në Moskë ku kishte ofruar ndihmë juridike falas për emigrantët.

Nga ana tjetër, autoritetet ruse nuk kanë komentuar mbi ndalimin e saj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore