Lajme

Rusët nuk do të mbrohen më nga Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut


“Na vjen keq që Rusia nuk e ndali sulmin në Ukrainë. Qytetarët e saj nuk do të mbrohen më nga Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut”.

Është kjo masa e radhës ndaj Moskës dhe qytetarëve të saj, ku në vazhdën e sanksioneve ekonomike të post-agresionit rus në Ukrainë, ndëshkimet bëhen konkrete edhe për qytetarët.

Lajmi është bërë i ditur nga zyra e shtypit në Bashkimin Evropian, nëpërmjet një deklarate të nënshkruar nga përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikat e Jashtme, Josep Borrell.

“Me sulmin e pajustifikuar kundrejt Ukrainës, si anëtare e Këshillit të Evropës, Rusia i shkeli principet themelore të statutit të KiE-së, konventave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe ligjit ndërkombëtar”, shkruhet në deklaratë.

Pavarësisht një keqardhjeje se Federata Ruse nuk ia arriti të pushojë sulmin në Ukrainë, masa ndaj qytetarëve rusë është tej mase ndëshkuese.

Po ashtu, nën rregullat e konventës, Rusia nuk do të jetë as në gjendje të çojë në Hagë çështje të cenimit të të drejtave të njeriut për qytetarët e saj.

Pavarësisht kësaj, ka një shenjë mirënjohjeje ndaj aktorëve të shoqërisë civile, medias së lirë dhe instancave demokratike, të cilat po protestojnë kundër agresionit rus në Ukrainë.

“E nxisim Rusinë të kthehet në përputhje me ligjet e të drejtave të njeriut”, përmbyllet deklarata.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore