Lajme

Mijëra protestues pro-Navalny të arrestuar


Mbeshtetësit e Alexei Navalny-t nisin marshimin për të kërkuar lirimin e tij
🕐20.00
Mijëra të arrestuar gjatë protestave të 31 janarit në Rusi

Policia ruse ka arrestuar mbi 4 mijë e 500 protestues, të cilët kishin dalë për të kërkuar lirimin e kreut të opozitës ruse, Alexei Navalny. Qytetarët kishin sfiduar acarin siberik, pavarësisht thirrjeve të Kremlinit se protesta ishte e jashtëligjshme.

Kjo është një tjetër shfaqje force e autoriteteve ruse, vetëm një javë pasi arrestuan mijëra manifestues, në protestën e zhvilluar në 24 janar. Ndër të arrestuarat, ka qenë edhe bashkëshortja e Navalny-t, Yulia.

Vetëm në Moskë, janë arrestuar mbi 2 mijë njerëz. Shifrat janë publikuar nga Policia e Moskës. Agjencia e lajmeve Reuters ndërkohë, ka raportuar se turma e protestuesve ka qenë më e vogël se ajo e javës së kaluar.

Kjo mund të lidhet edhe me paralajmërimet që Kremlini ka kryer gjatë gjithë javës. Personat që kanë qenë të pranishëm në protestë gjithsesi, kanë theksuar faktin se “nuk kanë frikë nga regjimi dhe do të bëjnë gjithçka për lirinë”.

Shkëndija ka pasur edhe në raportet diplomatike SHBA-Rusi. Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka dënuar dhunën e ushtruar nga autoritetet ruse dhe ka kërkuar lirimin e protestuesve.

Homologu i tij rus, Sergey Lavrov, e ka cilësuar deklaratën e kryediplomatit amerikan si “ndërhyrje në politikat e brendshme të Rusisë”.

Nga ndërkombëtarët është kërkuar gjithashtu lirimi sa më i shpjete i kritikut të Kremlinit, Alexei Navalny.

🕐15.42
Arrestohet sërish bashkëshortja e Navalny-t, Yulia

Është arrestuar sërish bashkëshortja e Alexei Navalny-t, Yulia Navalnaya. Ajo i ishte bashkuar protestës së qytetarëve në Moskë. Lajmin e ka bërë të ditur ekipi që punon për çiftin Navalny, nëpërmjet Twitter-it.

“Yulia u arrestua në protestë. Liri për Navalny-t”, shkruhet në Twitter.

Bashkëshortja e opozitarit rus, është arrestuar edhe pas protestës së parë, në 24 janar. Ajo gjithsesi u lirua pas disa orësh. Arsyeja e ndalimit ishte nxitja e protestave të jashtëligjshme. Kjo sipas publikimeve të policisë së Moskës.

Përpara se të arrestohej, Navalnaya postoi një foto në Instagram. Ajo komunikoi me ndjekësit e saj, duke shkruar: “Është një ditë e mrekullueshme në Sokolniki sot”.

Sipas disa organizatave monitoruese në Rusi, janë arrestuar mbi 2 mijë e 300 njerëz deri pasditen e 31 janarit. Vetëm në Moskë, janë arrestuar 520 protestues. Më shumë se 240 të tjerë janë ndaluar në Shën Petërburg. Totali gjithsesi, pritet të rritet me përditësimin e të dhënave.

 

🕐13.05
Rritet numri i të arrestuarve në Rusi

Policia ruse vazhdon arrestimet masive të mbështetësve të opozitarit rus, Alexei Navalny. Deri tani janë arrestuar mbi 1 mijë persona. Shifrat mbeten ende të pa konfirmuara zyrtarisht nga autoritetet. Agjencitë e pavarura të lajmeve në Rusi, po ndjekin hap pas hapi zhvillimet.

Qytetarët ndërkohë, nuk janë ndalur nga acari rus dhe kanë vërshuar në rrugë. “Dëshira për të jetuar në një vend të lirë është më e fortë se frika e burgosjes”, ka thënë Andrei, një protestues 25 vjeçar.

Video të shumta nga qytetet ruse po bëjnë xhiron e mediave sociale. Filmime të policëve rusë që dhunojnë protestuesit, gjithashtu.

 

🕐11.37
Policia ruse nis arrestimin e protestuesve

Vetëm pak çaste pas fillimit të protestave në Rusi, forcat policore kanë arrestuar mbi 500 protestues në gjithë qytetet e vendit. Këto shifra jozyrtare janë raportuar nga agjencitë e pavarura të lajmeve. Ekipi i Alexei Navalny-t, ka postuar gjithashtu video në media sociale.

Taktika e mbështetësve të kritikut të Kremlinit ndryshoi pas fillimit të arrestimeve. Pika të reja grumbullimesh janë njoftuar në mediat sociale.

Sheshi moskovit i Lubyanka-s, është “blinduar” nga forcat policore. Në terren kanë dalë edhe Shërbimet e Sigurisë Kombëtare në Rusi (FSB).

Në qytetin e Novosibirsk-ut në Siberi, policia ka arrestuar shoferë të cilët filluan t’i binin borive të makinave, në mbështetje të protestuesve. Pasi protestuesit panë këtë ndodhi, ata nisën thirrjet “lërini të lirë”.

Kushtet atmosferike të vështira nuk i kanë ndaluar dyndjet e rusëve në rrugë. Thirrjet kryesore që dëgjohen, janë: “Rusia pa Putin-in” dhe “Një për të gjithë, të gjithë për një”.

 

🕐 11.13
Nis marshimi i protestuesve në Rusi

Kanë filluar demonstratat në mbështetje të kreut të opozitës në Rusi, Alexei Navalny. Qytetarët kanë nisur marshimin paqësor, për të dytën të dielë radhazi.

Mbështetësit e kritikut të Kremlinit, kanë planifikuar të protestojnë në mbi 120 qytete. Marshimi ka nisur në orën 12.00 me orën lokale ruse. Duhet kujtuar se shteti siberik mbulon 11 zona kohora për shkak të shtrirjes së tij gjeografike.

Forcat e policisë në Moskë janë përgatitur për të përballuar fluksin e protestuesve. Kufizime të shumta janë vënë për lëvizjen e këmbësorëve në rrugë të ndryshme të kryeqytetit.

Ministria e Punëve të Brendshme, i ka cilësuar këto protesta si anti-ligjore dhe në mospërputhje me masat e vendosura ndaj Covid-19. Në Rusi nuk lejohen grumbullimet masive apo protestat. Pavarësisht këtij fakti, qytetarët nuk kanë ngurruar të vërshojnë në rrugët e akullta të dimrit rus.

Përcjellja e protestave të 31 janarit, pritet të mbulohet më së shumti nga mediat sociale. Kjo, për shkak se, mediat ruse, cilësohen si të kapura nga qeveria dhe nuk i kanë përcjellë të gjitha detajet.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore