Bota

Rusët ngurrojnë të vaksinohen me Sputnik V


Shumë njerëz në Rusi kanë frikë të vaksinohen me Sputnik, sipas një sondazhi të sociologëve në Levada Center. Vetëm 30% e rusëve janë të gatshëm për të marrë Sputnik V. 8% më pak që prej fillimit të shpërndarjes, pavarësisht se të dhënat e sigurisë janë publike.

Sipas njoftimeve të një klinike lokale në Rusi, vetëm 28 pensionistë u regjistruan për të marrë dozën e vaksinës Sputnik V, të Covid-19. Pavarësisht se interesi jashtë vendit është rritur së tepërmi, pas të dhënave të botuara në revistën mjekësore Lancet që treguan se ishte 91.6% efektive.

“Njerëzit kanë frikë. Ka nga të gjitha llojet e thashethemeve rreth ndërlikimeve”, arsyetonte studiuesja Lidia Nikolaevna.

“Nëse gjithçka shkon në rregull, atëherë mendoj se më shumë njerëz do të vaksinohen”, vazhdoi ajo.

“Rusët janë konservatorë. Ata nuk kanë besim te shteti i tyre, si pasojë as te prodhimet e tij”, ka thënë drejtori i Këshillit të Çështjeve Ndërkombëtare Ruse, Andrei Kortunov, duke shpjeguar ngurrimin e njerëzve.

Ndërsa vendet e Amerikës Latine dhe ato të Evropës po porosisin tufa të Sputnik, përhapja në Rusi në vetvete ka qenë e ngadaltë.

“Të gjithë më kishin trembur duke thënë se ishte e dhimbshme. Unë nuk ndjeva asgjë!” tha një pensionist pas inokulimit të tij me Sputnik V, në fshatin Sputnik, raporton BBC.

“Ne kishim planifikuar që të vinin 25 persona. Por u paraqitën 28, kështu që jemi të kënaqur”, u shpreh një infermiere, e cila hodhi poshtë sugjerimin se interesi ishte shqetësues.

Infermierja tha gjithashtu se ekipi i saj u kishte telefonuar banorëve të moshuar, duke u dhënë përparësi atyre që ishin më të prekshëm nga virusi. Gjithsesi, ajo u shpreh se “asnjë nuk privohet për ta bërë nëse ka dëshirë”.

Interesi ndërkombëtar

Komentuesit perëndimorë fillimisht ishin përbuzës ndaj Sputnik V. Ndërkohë zyrtarët pretendonin në mënyrë të guximshme, edhe pse provat ishin të pakta. Të dhënat e provës së tretë kanë treguar se vaksina është efektive, me efekte anësore të ngjashme me atë të Evropës dhe SHBA-së. Kjo ka bërë që interesi jashtë të rritet.

“Kritikët tanë tashmë nuk kanë më çfarë të argumentojnë”, tha muajin e kaluar Kirill Dmitriev, kreu i Fondit Shtetëror të Investimeve RDIF.

RDIF tha se 39 vende kanë porositur vaksinën Sputnik V. Madje, janë thirrur për të ndihmuar dhe Bashkimin Evropian (BE).

Hungaria ishte e para që miratoi vaksinën ruse për përdorim emergjent dhe Sllovakia sapo ka marrë dy milionë doza.

“Covid-19 nuk do t’ia dijë për gjeopolitikën”, argumentoi kryeministri sllovak, Igor Matoviç, duke përgënjeshtruar pretendimet e ndikimit rus.

Rusia tani ka shumë kërkesa për Sputnik, por Kremlini thotë se nuk mund t’i përballojë dot të gjitha me kapacitetin aktual të prodhimit.

RDIF thotë se do të furnizojë tregjet e huaja përmes impianteve jashtë vendit. Megjithatë, miratimi në mbarë BE-në është akoma një qëllim i vështirë për t’u arritur.

Me të gjitha shpërndarjet dhe pikat e vaksinimit në qendrat tregtare të qytetit, vetëm katër milionë rusë janë vaksinuar. Shumë më poshtë se synimi 60% i Ministrisë së Shëndetësisë për gjithë të rriturit, në gjashtë muaj.

Televizioni Shtetëror rus thuhet se nuk po tregon gjithë forcën e tij bindëse. Vetë presidenti Vladimir Putin ende nuk është vaksinuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore