Lajme

Rusët dhe takimi sekret për COVID-in në Itali: Ata flisnin sikur duhej të pastronin Çernobilin


“Hyni në ndërtesa publike dhe higjienizoni territorin”.

Kështu do të shprehej delegacioni rus që mbërriti në Itali më 22 mars të 2020-s për t’u marrë me urgjencën e coronavirus-it.

Ata kërkuan një takim të fshehtë, ku morën pjesë krerët ushtarakë të Moskës dhe atyre italianë nga Komanda e Forcave të Përbashkëta, por edhe nga Komiteti Tekniko-Shkencëtar që bashkëpunoi me qeverinë në menaxhimin e pandemisë.

Ka pasur një betejë të ashpër mes dy delegacioneve dhe, në fund, italianët i kanë mohuar dritën jeshile. Megjithatë, rusët kryen një sërë ndërhyrjesh në spitale dhe në shtëpi kujdesi për të moshuarit. Shumë prej tyre ishin ushtarakë.

Sipas mediave, ka detaje të tjera të papublikuara për atë operacion, të cilin tri ditë më parë zyrtari i lartë i Ministrisë së Jashtme, Alexei Paramonov, e përmendi në sulmin e tij ndaj Italisë.

Madje, ai shkoi më tej duke kërcënuar me “pasoja të pakthyeshme” nëse ata u përmbahen sanksioneve.

Takimi në bujtinë

Bujtina ushtarake në “Castro Pretorio” në Romë, shërbeu si një vend për takimin e delegacioneve ndërkombëtare.

Në njërën anë të tryezës ishte gjenerali rus Sergey Kikot, zëvendëskomandant i Departamentit të mbrojtjes kimike, radiologjike, biologjike të ushtrisë ruse, së bashku me të paktën dhjetë ushtarë.

Nga ana tjetër, gjenerali italian Luciano Portolano – në atë kohë komandant i COI-t, Komandës së Përbashkët Operacionale – dhe krerët e Komitetit Teknik-Shkencëtar, Agostino Miozzo dhe Fabio Ciciliano.

Kikot u shpreh menjëherë se, “ne jemi këtu në bazë të një marrëveshjeje politike të nivelit më të lartë. Kështu që ne mund të bëjmë gjithçka për t’ju ndihmuar. Ne duam të higjenizojmë të gjithë territorin italian, duke hyrë gjithashtu në zyrat publike dhe në të gjitha vendet në rrezik”.

Negociatat asokohe vazhduan me orë të tëra dhe tonet ishin të ashpra. Miozzo e kujton shumë mirë: “Debutimi i Kikot-it ishte veçanërisht ndërhyrës, i ashpër. Ai foli sikur duhej të pastronin Çernobilin pas shpërthimit bërthamor. Ai na tha se marrëveshjet e nivelit të lartë parashikonin higjenizimin në të gjithë territorin dhe tha se synonin të higjenizojnë të gjitha ndërtesat, përfshirë ato publike. Biseda u ndërpre disa herë, por me Portolano-n vendosëm të mos pranonim asnjë ofertë të atij lloji. Takimi përfundoi me autorizimin për të hyrë vetëm në disa objekte shëndetësore. Më vonë na u konfirmua se kishin dezinfektuar shumë rrugë”.

Spitalet

Ajo që ndodhi më pas dihet vetëm pjesërisht. Rusët mbërritën në Lombardi dhe qëndruan për dy muaj. Ata bashkëpunuan me institucionet shëndetësore me akses falas në pavijone.

Disa muaj më vonë,“New Yorker” shkruan se ata kishin “përpunuar ADN-në e një shtetasi rus, i cili doli pozitiv në Itali për kërkime për vaksinën Sputnik”.

Një vit më vonë, në prill 2021, u mbyll një marrëveshje me spitalin “Spallanzani” në Romë, pikërisht për eksperimentin lidhur me vaksinën “Sputnik”, pavarësisht refuzimit të EMA-s për të miratuar vaksinën ruse.

Bashkëpunimi u ndërpre disa ditë më parë, tri javë pasi filloi pushtimi rus në Ukrainë.

Të dhëna “sensitive”

Por analistët kanë ngritur pyetjet se çfarë tjetër përfshinte marrëveshja e “nivelit shumë të lartë politik” për të cilën foli Kikot? Dhe, mbi të gjitha, në çfarë informacioni shëndetësor kishin akses rusët?

Midis përgjegjësve për misionin ishin Natalia Y. Pshenichnaya, zëvendësdrejtore e Institutit Qendror të Kërkimeve Epidemiologjike dhe Aleksandr V. Semenov, i Institutit “Pasteur” në Shën Petersburg.

Të dy punonjës të Rospotrebnadzor-it – objekti shëndetësor civil, të cilëve presidenti rus Vlaimir Putini më 27 janar 2020 u kishte besuar mbikëqyrjen e luftës kundër epidemisë. Janë po ata që më vonë mbikëqyrën marrëveshjen e nënshkruar me “Spallanzani-n” e Romës për kërkime mbi vaksinën Sputnik.

Artikulli është marrë nga e përditshmja italiane “Corriere Della Sera” dhe përshtatur për Albanian Post!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore