Sport

Rummenigge: Klubet angleze shpenzojnë para të “çmendura”, qesha kur dëgjova për skandalet nga Juventusi dhe Barcelona


Legjenda e Bayern Munich-ut, Karl-Heinz Rummenigge, “nuk mund ta besonte atë që kishte bërë Juventusi” dhe pranon se qeshi me skandalin e Barcelonës, duke thënë “kisha një ndjenjë të çuditshme kur luanim në Spanjë”.

Ish-reprezentuesi gjerman foli për “Il Corriere dello Sport” për çështjet aktuale në futbollin italian dhe evropian, duke u ndalur veçmas te ai anglez.

“Klubet angleze shpenzojnë para të çmendura në një mënyrë të paarsyeshme, ndërsa klubet e tjera në Evropë shkojnë përpara mes skandaleve dhe krizave financiare, por janë ende në gjendje të sjellin trofe në shtëpi” tha Rummenigge.

“Kjo do të thotë se klubet e Premier League bëjnë gabime të jashtëzakonshme, tregu është jashtë kontrollit atje”, shtoi legjenda e futbollit gjerman.

“Chelsea shpenzoi qindra milionë euro dhe tani janë në vendin e 10-të në tabelë, është absurde. Globalizimi i tregut ka krijuar një pabarazi të jashtëzakonshme”.

Bayern Munich ishte ndër klubet që refuzuan të përfshiheshin në Superligë gati dy vite më parë dhe Rummenigge nuk u befasua që u organizua nga Juventusi, Real Madridi dhe Barcelona.

“Nuk është rastësi që ishte një ide e tre klubeve me probleme të mëdha likuiditeti”, tha ai.

“Tani propozimi i Superligës është që të përfshihen 80 klube dhe jo 20, por futbolli nuk mund të përballojë një ndryshim kaq rrënjësor”, shtoi gjermani.

“Ajo që duhet ndryshuar shpejt është Fair Play Financiar, i cili duhet të jetë më i rreptë. Klubet janë vazhdimisht nën presionin e tifozëve dhe mediave që kërkojnë të shpenzojnë shumë para, por futbolli është industria e vetme që shkakton humbje”.

Juventusit i janë zbritur 15 pikë për parregullsi financiare këtë sezon dhe mund të përballet me një zbritje tjetër pikësh në muajt e ardhshëm pasi prokurori i FIGC, Giuseppe Chine, po heton të ashtuquajturën “manovër të pagave”.

“Nuk mund ta besoja atë që ka bërë Juventusi, nuk kam dëgjuar kurrë diçka të ngjashme në jetën time”, tha Rummenigge duke qeshur.

“Juventusi është një nga klubet më të mira në Itali dhe Evropë, por ata kanë shënuar një autogol të jashtëzakonshëm”.

Barcelona, ​​nga ana tjetër, është përfshirë në një skandal arbitrash në Spanjë, duke u akuzuar se i ka paguar ish-zëvendëspresidentit të Komitetit Teknik të Arbitrave, Enriquez Negreira, 1.4 milionë euro.

“Kam qeshur kur lexova lajmet, por nuk jam i befasuar”, ka pranuar ish-ylli i Interit.

“Sa herë që luanim në Spanjë kisha një ndjenjë të çuditshme. Këto janë gjëra të papranueshme që nuk kanë të bëjnë vetëm me konkurrencën vendase, madje edhe çështja e arbitrimit duhet të përballet me seriozitet dhe respekt”, ka thënë mes tjerash Rummenigge.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore