Rajoni

Rumania kufizon kompanitë jo-Evropiane në tenderat publikë


Qeveria e Rumanisë ka miratuar një memorandum, më 27 janar, që do të bllokojë dhënien e kontratave të infrastrukturës publike për kompanitë që vijnë nga vendet që nuk kanë një marrëveshje dypalëshe tregtare me Bashkimin Evropian (BE). Kryesisht kjo ka të bëjë me ndërtimin e infrastrukturës së transportit.

Zëvëndëskryeministri i Rumanisë, Dan Barna, gjithashtu president i Aleancës Progresiste (USR-PLUS), tha se kjo masë do të parandalojë situatat kur kompanive në tender mund t’u anulohet gara, për shkak se nuk përmbushin standardet evropiane.

“Qëllimi është të shmanget bllokimi i punëve në infrastrukturën publike”.

Ai shtoi se memorandumi nuk specifikon ndonjë vend konkret, por që synon kompani të vendeve që nuk kanë marrëveshje tregtare të nënshkruar me BE-në.

Ideja u hodh fillimisht nga ministri i Transportit, Catalin Drula.

Për të zbatuar ato rregulla, Qeveria rumune tani duhet të ndryshojë ligjin e saj të blerjeve publike. Nëse legjislacioni kalon përmes memorandumit, kompanitë që janë në pronësi të kinezëve, janë të parët që preken. Kompanitë kineze janë të përfshira në ankandet që nxjerr Qeveria, për ndërtimin e infrastrukturës së transportit.

Në korrik 2019-ës, KE-ja lëshoi një udhëzim mbi pjesëmarrjen në ankand të vendeve të treta në Tregun e Prokurimit të BE-së.

Udhëzimi sugjeron që vetëm kompanitë nga vendet e treta me të cilat BE-ja ka nënshkruar marrëveshje të detyrueshme ndërkombëtare ose bilaterale të tregtisë së lirë që mbulojnë prokurimin publik kanë të drejtë të garojnë në ankandet e BE-së.

Kompanitë e tjera që nuk e kanë nënshkruar këtë marrëveshje përjashtohen nga skema e konkurrencës.

BE-ja ka nënshkruar marrëveshjen e tregtisë së lirë me vende të ndryshme në të gjithë botën. Këto vende duhet të japin një qasje më të mirë, përsa i përket konkurrencës në Tregjet e Prokurimit Publik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore