Kosova

Rukiqi: Viti 2022 për ekonominë e Kosovës do të jetë më sfidues se viti i kaluar


Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovë (OEK), Berat Rukiqi

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovë (OEK), Berat Rukiqi ka thënë se në aspektin ekonomik, viti 2022 do të jetë shumë më sfidues se sa viti 2021.

Ai në një postim në rrjetin social Facebook ka shkruar se në verën e sivjetme s’do të ketë “infuzion” nga diaspora, me ç’rast konsumi do të shënojë rritje, e norma e rritjes ekonomike do të bie.

“Ky dimër do të jetë më ‘i gjatë’ se të tjerët, marrë parasysh problemet me furnizimin dhe çmimet e energjisë elektrike, dhe çmimet e rritura në pothuajse të gjitha lëndët e para dhe produktet finale, nga kategoritë e produkteve që ne i importojmë”, ka shkruar Rukiqi.

Pa para shikueshmëria me pandeminë, do të vazhdojë të sjellë telashe për sektorin privat. Sipas të parit të OEK-së, ky sektor nuk po arrin ta kuptojë se cila është vlera e vërtetë e vaksinimit me dy dhe tri doza kundër COVID-19.

“Çdo masë për kontrollimin e pandemisë, duhet t’i kufizojë te pavaksinuarit e jo ata që me shumë zell e respektuan thirrjen për vaksinim”.

“Do të rritet problemi me fuqinë punëtore. Mosgjetja e punëtorëve me shkathtësi të caktuara është si problem në rritje për të gjithë sektorët. Nëse kjo problematikë vazhdon, ne do të kemi probleme serioze me aftësinë konkurruese për eksport dhe investime”, ka shkruar Rukiqi.

Dialogu me sektorin privat është i domosdoshëm, andaj, Rukiqi i ka bërë thirrje Qeverisë, dhe Kuvendit por edhe institucioneve të tjera që të jenë të hapura për dialog me sektorin privat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore