Sport

Rrugëtimi që e pret Kosovën


Në ora 20:45 përfaqësuesja e Kosovës në futboll do të luaj kundër Lituanisë në një ndeshje miqësore.

Para ndeshjes së fundit përball Moldavisë, “Dardanët” kishin 10 ndeshje pa fitore, a do të vazhdojë kjo formë e dobët, pritet të shihet.

Pas ndeshjes së sotme përball Lituanisë, Kosova më 28 mars do të pres Suedinë për ndeshjen e parë për kualifikimet e kupës së botës të vitit 2022.

Pas Suedisë, ata do të udhëtojnë në Spanjë, për ndeshjen e radhës së kualifikimeve të botërorit 2022.

Ndeshja përball Spanjës do jetë më e zjarrtë, edhe për shkak të qëndrimeve te Spanjës në raport me statusin e Kosovës.

Në ndeshjen e sotme dhe në të ardhmen do mungojë portieri, i cili e shoqëroi përfaqësuesen deri këtu, Arijanet Muriç, pasi ai u përjashtua nga përfaqësuesja e Kosovës më 23 mars për arsye disiplinore.

Mungesë tjetër e madhe do jetë edhe qendër mbrojtësi, Amir Rrahmani i cili ka kontribuar në pothuajse çdo ndeshje të përfaqësueses së Kosovës.

FFK ka bërë të ditur se Rrahmani është kthyer në Napoli për shkak të një lëndim, dhe do mungojë në ndeshjet përball Lituanisë, Suedisë e Spanjës.

“Mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani është larguar nga kampi i Dardanëve, në pamundësi për të kontribuuar në tri ndeshjet e këtij muaji për shkak të lëndimit. Përkundër vullnetit dhe dëshirës së madhe që të riaftësohet për lojë, një gjë e tillë ishte e pamundur, prandaj Rrahmani do të kthehet në klubin e tij, Napoli, për të vazhduar me sanimin e lëndimit.
Federata e Futbollit e Kosovës uron që Amiri sa më parë të rikthehet në fushën e gjelbër dhe të jetë në dispozicion të Kombëtares në sfidat e ardhshme”, shkruajnë FFK në faqen e tyre zyrtare.

Federata e Kosovës po ashtu të martën publikoi logon e re, bashkë me fanellat e përfaqësueses, të cilat simbolizojnë një fillim të ri, ndoshta edhe me kualifikimin në kupën e botës 2022.

Dardanët do kenë një rrugëtim të vështirë në kualifikimet e botërorit të 2022, pasi grupi i tyre përbëhet nga ekipe shumë të mira.

Por, Kosova ka treguar edhe më herët që mund t’i bëjë ballë ekipeve të mëdha.

Ndeshja me Lituaninë do jetë vetëm një provë për Dardanët, duelet e vërteta për Kosovën do fillojnë nga 28 marsi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore