Lajme

‘Rrugët e Myanmar-it në protestë’


Mijëra njerëz kanë dalë për të protestuar në rrugët e Myanmar-it kundër marrjes së pushtetit ushtarak të vendit, pavarësisht nga ndërprerja mbarëkombëtare e internetit.

Në Yangon, qytetin kryesor turma të mëdha njerëz u mblodhën ditën e shtunë dhe të dielë në mbështetje të kancelares Aung San Suu Kyi dhe presidentit Win Myint të cilët fituan zgjedhjet në nëntor.

Njerëzit u bashkuan në Hledan duke bllokuar trafikun dhe marshuan në mes të rrugës. Thirrjet e tyre ishin, “Ne nuk duam diktaturë ushtarake.Ne duam demokraci ”.

Simbolet e protestës ishin flamuri i Lidhjes Kombëtare për Demokraci dhe përshëndetja me tre gishta.

Ushtria ka ndërprerë internetin në përpjekje për të ndaluar protestat. Në mëngjesin e ditës diel rreth 100 mijë njerëz dolën në rrugë me motorë në qytetin bregdetar të Mawlamyine në jug-lindje.

Qindra të tjerë kaluan natën jashtë në qytetin Payathonzu të Karen-it.

Më shumë se 160 njerëz janë arrestuar që nga momenti8 kur ushtria mori pushtetin të hënën.

Thomas Andrews, një reporter i Kombeve të bashkuara për Myanmar-in tha se gjeneralët po përpiqen “të paralizojnë” lëvizjen qytetare, duke ndërprerë aksesin e internetit.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka lëshuar një deklaratë javën e kaluar që shprehte shqetësim të thellë për ndalimet arbitrare dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërcënuar për vendosje sanksionesh.

Grushti i shtetit

Ushtria e Myanmar-it ka marrë në dorë vendin me anë të një grushti shteti, duke arrestuar kancelaren Aung San Suu Kyi dhe pjesëtarë të tjerë të kabinetit. Ky grusht vjen pas disa ditësh tension mbi rezultatin e zgjedhjeve të fundit të nëntorit 2020.

Kancelarja 75 vjeçare Aung, presidenti Win Myint dhe pjesëtarë të tjerë Ligës Kombëtare për Demokraci, u arrestuan në rezidencën qeveritare të kryeqytetit, Naypyidaw.

Drejtuesit e ushtrisë deklaruan se kanë marrë kontrollin e shtetit. Gjendja e jashtëzakonshme është shpallur në Myanmar. Pushteti i përkohshëm i ka kaluar gjeneralit Min Aung Hlaing.

Akuzat ndaj kancelares

Policia në Myanmar, e njohur si Burma, ka ngritur akuza kundër kancelares, Aung San Suu Kyi, pas grushtit të shtetit.

Sipas policisë, ajo do të mbahet në paraburgim deri me 15 shkurt.

Akuzat përfshijnë shkelje të ligjeve të importit dhe eksportit. Gjithashtu, pjesë e akuzave është posedimi i pajisjeve të paligjshme të komunikimit.

Mosbindja civile

Partia e Aung San Suu Kyi-s, ka bërë thirrje për lirimin e saj të menjëhershëm dhe që rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020 të pranohen nga ushtria, e cila mori pushtetin me grusht shteti.

Në internet shumë njerëz kanë kthyer fotografitë e tyre në të kuqe për të sinjalizuar mbështetjen e tyre për Aung San Suu Kyi, që doli fituese në zgjedhjet e nëntorit.

Të martën e 2 shkurtit, disa persona dolën në rrugë duke goditur tenxhere metalike, protestë simbolike kundër ushtrisë. Disa të tjerë ndezën qirinj në ballkonet e tyre.

Mosbindja civile është shfaqur edhe midis mjekëve dhe punonjësve të tjerë shëndetësorë të cilët kanë deklaruar se nuk do të punojnë nën sundim të ushtrisë.

Reagimet e ndërkombëtarëve

Grushti i shtetit në Myanmar ka sjellë reagime nga bashkësia ndërkombëtare. Pjesa më e madhe e shteteve, e kanë cilësuar ngjarjen si “goditje e rëndë për demokracinë”.

Nga Washingtoni janë shprehur të alarmuar për situatën e raportuar. “SHBA-ja kundërshton çdo përpjekje për të cenuar rezultatin e zgjedhjeve.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, e ka cilësuar të jashtëligjshëm arrestimin e kancelares Aung San Suu Kyi.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres,ka shprehur gjithashtu shqetësim mbi kalimin e pushtetit tek ushtria.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka dënuar grushtin e shtetit dhe burgosjen e qytetarëve. Të njëjtën gjë ka theksuar edhe Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas.

Reagime ka pasur edhe nga shtetet fqinje me Myanmar-in, të cilat kanë dënuar në bllok aktin. Nga Kina, vjen një thirrje për zgjidhjen e çështjes në mënyrë të ligjshme. Bangladeshi ka kërkuar paqe në Myanmar, duke dhënë ndihmesë për riatdhesimin e popullsisë “Rohingya”, të cilët janë strehuar në Bangladesh.

Bllokimi i rrjeteve sociale

Tre ditë pas grushtit shtetit, teksa kishte rritje në thirrjet për mosbindje civile, qeveria ushtarake bllokoi median sociale facebook

Pas bllokimit të facebook-ut, autoritetet urdhëruan ofruesit e internetit, ditën e shtunë që të bllokojnë hyrjen në Twitter dhe Instagram deri në një njoftim tjetër.

Gjatë ktyre ditëve të protestave, janë arrestuar 150 persona pasi ndodhi grushti shtetit, ndërsa 30 të tjerë janë arrestuar për shkaktim zhurme, njoftojnë mediat lokale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore