Libra

Rruga drejt transformimit të plotë dhe dy librat e Antigona Behramit si udhërrëfyes


“Libri Transformues” dhe “Ditari Transformues” – janë dy botimet më të reja të autores, trajneres dhe folëses motivuese, Antigona Behrami.

Përmes këtyre librave, Antigona, reflekton mbi ndryshimin e stilit të jetesës së njerëzve, ndërkohë që ndikimi i botimeve të saj, prekë edhe mënyrën e të menduarit dhe të vepruarit.

Në një intervistë për Albanian Post, Antigona Behrami, tregon se libri dhe ditari janë të formuar në tip-seti për të ndihmuar në zhvillim personal në kushte shtëpiake, ndërkaq thekson se muza e inspirimit për të shkruar ishte vetë jeta dhe transformimi i saj.

Antigona Behrami – Folëse motivuese.

“Jam nisur nga transformimi im sepse brenda tyre është vërtet shpjegim i thjeshtëzuar ku mua mu deshën vite dhe investim parash me qindra e mijëra euro drejt zhvillimit tim personal. Këtë libër dhe ditar i kam sjellë vetëm për të jua mundësuar të gjithë atyre që duan vërtet të ndryshojnë diçka në jetën e tyre”.

“Atyre që nuk kanë mundësi të investojnë në trajnime, seminare apo pagimin e një mentori personal , tashmë e kanë këtë mundësi sepse kam mbledhë pikat më kryesore që ndryshuan vërtet jetën time dhe të gjithë atyre personave që kam punuar dhe punoj individualisht me ta”, thotë autorja.

“Libri Transformues” dhe “Ditari Transformues” janë dy libra që pasojnë botimin e parë të Behramit – “Përdore fuqinë që ke brenda”. Spiritualistja Antigona shpjegon dallimet mes tyre.

Libri i parë i Antigona Behramit – “Përdore fuqinë që ke brenda”.

“Dallimi në mes të librit ‘Përdore fuqinë që ke brenda’ dhe setit të zhvillimit personal siç janë  dy librat e fundit, është vetëm se kam sjellë më gjerësisht njohuri dhe kam krijuar sfida që të punojnë rregullisht për 365 ditë me radhë”.

“Që të tre këto krijime të miat janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën sepse kam dhënë vërtet teknika, të cilat mua personalisht ma ndryshuan jetën, me shpresën se do të ndihmojnë shumë lexuesit”, thotë ajo.

Mes tjerash, Antigona, shpjegon edhe frymëzimin e saj – natyrën dhe vetë procesin e jetës si dhe ligjet universale.

“Sa bukur dhe sa rend të rregullt ka krijuar Zoti për ne që jemi pjesë e kësaj natyre. Ka ardhur koha që secili nga ne të kuptojmë të vërtetën sipas meje, të cilën mundohem ta ndaj me të gjithë dhe kjo e vërtetë është se ne nuk jemi të ndarë nga asgjë”.

“Prandaj, dua me zemër që një herë e përgjithmonë ta kuptojmë se njeriu nuk është në gara me askënd, pos me vetveten e tij dhe nëse ti jeton në harmoni me ligjet universale, atëherë e ke kuptuar vërtet sekretin e jetës, sekretin e një jete në paqe me vetveten dhe gjithë botën”, thotë folësja motivuese.

Suksesi i librave ka qenë kulminant, ndërsa shitjet kanë thyer edhe rekordet. Por, Antigonës, diçka tjetër i bën më shumë përshtypje.

“E rëndësishme është se qindra njerëz kanë filluar me të shikojnë jetën ndryshe, kanë nisur rikthimin në realitet të disa ëndrrave që dikur i kanë lënë në harresë dhe kanë startuar ndryshimin e mendimit mbi jetën”.

“Edhe në përditshmëri, por edhe me anë të këtyre librave, jam afër njerëzve që kanë nevojë për mua dhe po, vërtet jam munduar t’i ndihmoj ata kur nuk janë në gjendje të mirë, psikike apo emocionale. E mira është që unë këtë gjë e bëjë me dashuri sepse dhe unë dikur kisha nevojë për një Antigonë të tillë siç jam sot”, thotë ajo.

Ndërkohë, Antigona, aktive është edhe në mediat sociale, ku e shpalos punën e saj me anë të postimeve të ndryshme në platforma të llojllojshme, përfshirë edhe YouTube.

Marrë parasysh rolin e sotëm të rrjeteve sociale në jetën e njerëzve, edhe efekti i punës së saj rritet, teksa ekspozimi nuk mungon.

Ajo, tashmë ka fituar një audiencë të sajën, që po rritet për ditë e më shumë.

“Mendoj se roli i rrjeteve sociale ka ndikim shumë të madh në përçimin e mesazheve të mia gjithandej”.

“Zëri im tani ka mundësi që të kontribuoj edhe tek ata persona që ndoshta kanë lënë fuqinë e tyre duke menduar se një ditë fati do të ndryshoj diçka, e që e vërteta është se ne jemi krijues të fatit tonë”, shpjegon Behrami.

Për Albanian Post, Antigona, zbulon një nga rastet e ndodhura në Kosovë, teksa e ka ndihmuar një vajzë me anë të këshillave të saj për të përparuar në jetë.

“Ishte një vajzë që familja e saj e kishin martuar me shkuesi për shkak të gjendjes ekonomike. Sigurisht, vajza as që kishte kundërshtuar, ani pse me atë ‘po’, kishte shuar ëndrrat mbi shkollën e gjërat e tjera që ishin pjesë e planeve të saj jetësore”.

“Pasi që kishte shkuar në Gjermani, vajza kishte hasur në një familje, e cila kishte nisur të ushtronte dhunë psikike për të vërteten se ajo vinte nga një familje e varfër dhe kinse nuk dinte gjë. E kishte mbyllur të vërtetën brenda, nga frika se po të fliste do ta kthenin në Kosovë. Vajza kishte rënë keq në emocione, ndërsa edhe pati qëndruar e shtrirë për muaj të tërë dhe kishte pësuar një humbje të theksuar peshe”.

“Por, një ditë ajo ka parë videot e mija në YouTube dhe më ka kontaktuar. Teksa e kam këshilluar vazhdimisht, ajo ka vendosur të bëj ndryshimet e para. Sot, ajo jo vetëm që ka braktisur atë stil të dëmshëm jetese, por edhe punon dhe gëzon shëndet të plotë”, tregon ajo.

Për fund, Antigona Behrami, ka edhe një porosi për të gjithë lexuesit e Albanian Post.

“Mesazhi im është për të gjithë ata që mendojnë se nuk ka zgjidhje në situata të caktuara, të vështira e të pakëndshme me të cilat pike takohen në jetë. Le ta kuptojnë se para se të vijë problemi, zgjidhja vetëm se ka ardhur. Falënderoni dhe asnjëherë mos mendoni se jeni vetëm”.

“Çdo gjë kalon dhe nuk është përgjithmonë njëjtë. Besoni në më të mirën, besoni dhe zgjojeni fuqinë që keni brenda vetës sepse kurrë nuk jeni braktisur nga ajo fuqi. Madje, ajo zgjohet kur ju të jeni gati ta pranoni ju mundeni që nga çdo dhimbje e trishtim, t’i mblidhni forcat dhe t’i ktheni në krijime. Ju seriozisht mundeni”, përfundon spirtualistja, Antigona Behrami.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore