Art&dizajn

Rrokaqielli i artë në Melburn


Fender Katsalidis, studio arkitekturore, ka përfunduar rrokaqiellin e quajtur Australia 108 në Melburn me një lartësi prej 319 metrash suke u kthyer në ndërtesën më të lartë të banimit në hemisferën jugore.

Dezeen, faqe kushtuar arkitekturës, tregon se Australia 108, i cili është i përbërë nga 100 kate është projektuar për të qenë një pikë referimi në horizontin e qytetit përmes thyerjes së linjave të pastra nga ylli i artë i quajtur Starburst që është vendosur përqark ndërtesës.

“Përfundimi i Australia 108 shënon një moment historik të pabesueshëm që shtrihet përtej lartësisë së ndërtesës”, është shprehur Nicky Drobis, drejtuesi i studios.

Ai ka sqaruar se “dizajni përpiqet të ripërcaktojë disa nga stereotipet rreth mënyrës se si shfaqen rrokaqiejt – nga Starburst-i i harkuar dhe inovativ deri te mënyrat e ndryshme se si ndërtesa mund të perceptohet”.

Sipas Drobis-it, ka shumë aspekte që përbëjnë këtë pikë referimi, e cila është shumëplanëshe. Madje, ka pohuar se qëllimi është që arkitektura e ndërtesës të vlerësohet në mënyra të ndryshme prej banorëve vendas apo vizitorëve të ardhshëm.

Për sa i përket linjave të saj, Australia 108 ka një formë të brinjëve drejtkëndore dhe pjesa e jashtme është plotësisht e mbuluar nga xhami duke dhënë një pamje të të gjithë qytetit.

Përpos yllit të artë që del afro gjashtë metra jashtë saj, ndërtesa është e mbështjellë edhe nga shirita horizontalë me ngjyrë të bardhë që realizojnë një thyerje të dytë.

Firma ka pohuar se modeli i yllit të artë është i frymëzuar nga Commonwealth Star te flamuri australian dhe se në horizont ky yll formon një pikëçuditëse.

Australia 108 nuk është e vetme. Ajo është e vendosur pranë kullës Eureka, e cila është ndërtuar nga e njëjta studio dhe llogaritet të jetë 297 metra e gjatë.

“Është e pazakontë për një firmë arkitekturore të projektojë dy nga ndërtesat më të larta të qytetit dhe jemi krenarë që e kemi bërë këtë në Melburn”, është shprehur Craig Baudin, një drejtues tjetër i firmës.

Ai ka vazhduar se “e kemi përdorur këtë si një mundësi për të lejuar kullat të dialogojnë me njëra-tjetrën duke qenë partnerë në horizont teksa secila shpërfaq identitetin e vet”.

“Format e harkuara në mënyrë dramatike të Starburst-it na lejojnë të arrijmë një bujari të hapësirave të përbashkëta në këto nivele, pavarësisht se kufizohemi nga një vend relativisht të vogël”, ka shtuar Baudin.

Në brendësi, ndërtesa përmban 1 mijë e 105 apartamente të shpërndara në 90 katet e saj të banimit ku përfshihen edhe hapësira dedikuar palestrave, pishinave apo kopshte në lartësi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore