Lajme

Rrokaqiejt e qyteteve të lashta të Jemenit


Ndërtesat e larta jemenase janë jashtëzakonisht të qëndrueshme dhe të përshtatshme për klimën e nxehtë dhe të thatë të shkretëtirës arabe.

Kjo pasi janë të ndërtuara me materiale natyrore,

Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon se të kalosh nëpër Bab-al-Yaman, porta e madhe që lejon hyrjen në qytetin e vjetër me mure të Jemenit, Sana’as, është si të shkosh në një botë tjetër.

Ndërtesat e larta në korsitë e ngushta që lidhin kopshtet e harlisura të frutave dhe perimeve me kripën e lashtë, të tërheqin vëmendjen.

Sana’a është e mbushur me ndërtesa ndryshe nga kudo tjetër në botë. Në nivelin e rrugës, ku muret me tulla të baltës janë thyer vetëm nga dyer të mëdha prej druri, nuk ka shumë për të parë.

Por kur ngre kokën lart, kupton se këto ndërtesa të holla, disa me vetëm një ose dy dhoma në dysheme, gati arrijnë qiellin.

Teksa katet e poshtme janë pa dritare për shkak të përdorimit të tyre si strehimore të kafshëve ose hapësira pune, dritaret e zbukuruara më lart janë ose të mbuluara me xham me njolla ose me mbulesat delikate mashrabiya që mbrojnë privatësinë e grave brenda.

Kornizat e dritareve janë të lyera me gëlqere të bardhë për të kontrastuar sfondin me ngjyrë baltë, duke krijuar një efekt të shtëpisë me xhenxhefil.

“BBC’ tregon se shumë prej tyre kanë tarraca në çati, të cilat janë dyfishuar si hapësira argëtimi, si dhe dhoma gjumi për netët e ngrohta.

Ndërkohë, madhështia e ndërtesave, së bashku me praktikën e tyre të thjeshtë, krijon një vizion arkitektonik frymëzues.

Kur arrihet në Suk, arrihet të shihet që disa nga ndërtesat kanë deri në shtatë kate. E kur je aty, Qyteti i Vjetër shtrihet poshtë, ndërsa ndërtesat fqinje të së njëjtës lartësi, japin ndjesinë e të qenit rrethuar nga rrokaqiejt.

Këto ndërtesa janë 300 dhe 500 vjet të vjetra dhe të ndërtuara nga balta. Disa mund të arrijnë lartësi deri në afro 30 metra.

Jemeni është i mbushur me ndërtime të ngjashme nga ato në fshatrat më të vegjël deri në qytete më të mëdha, siç është Shibam ose Dar-al-Hajar.

Stili i arkitekturës është aq unik saqë qytetet Zabid, Shibam dhe Qytetit të Vjetër të Sana’a janë njohur si vende të Trashëgimisë Botërore të Unesco-s, me traditën që daton në shekujt Vlll dhe lX.

Sipas “BBC”, çka i bën rrokaqiejt jemenas kaq unikë është se ato janë ende në përdorim, ashtu siç ishin qindra vjet më parë.

Në Qytetin e Vjetër të Sana’as, teksa disa rrokaqiej janë shndërruar në hotele dhe kafene, shumica ende përdoren si rezidenca private.

Duke u magjepsur nga këto qytetet të Jemenit gjatë udhëtimit në to, nuk mund të mos pyesësh veten se përse jemenasit i ndërtuan këto ndërtesa të larta, duke pasur parasysh hapësirat e mëdha shkretëtira të vendit të tyre.

Salma Samar Damluji, arkitekte dhe autore e Arkitekturës së Jemenit dhe Rindërtimit të saj, ka thënë se ndërtimi ishte tradicionalisht i kufizuar në vende të vogla, që do të thotë se ndërtesat duheshin të ishin vertikale.

“Qytetet kishin një mur të jashtëm, të quajtur Sur dhe një kufi tjetër nga shkretëtira”, ka treguar ajo, duke shpjeguar se jo vetëm që muri dhe shkretëtira përreth ishin një pengesë për çdo zhvillim urban, por çdo hapësirë ​​e qëndrueshme bujqësore konsiderohej e vlefshme për t’u ndërtuar.

Kështu që, ndërtimi lart, në grupime të formuara fort, ishte opsioni i parapëlqyer.

Gjithashtu ishte edhe nevoja për mbrojtje që i bëri vendbanimet e Jemenit të grumbullohen së bashku në vend që të përhapen në të gjithë tokën.

Jetesa në një shkretëtirë jomiqësore bënte që siguria dhe aftësia për të parë anembanë tokës për afrimin e armiqve, së bashku me aftësinë për të mbyllur portat e qyteteve gjatë natës, duhej të merreshin parasysh në çdo planifikim të qytetit.

Zakonisht, ndërtimi nuk përdorte skela. Në vend të tyre, ndërtuesit do të fillonin me një themel guri, shpesh rreth dy metra të thellë, mbi të cilin tullat e baltës ishin hedhur në një lidhje të rrjedhshme, pra një tullë mbivendoset me dy më sipër.

Më pas, ata vendosin trarë druri për forcë dhe duke shtuar dysheme të bëra nga druri dhe materialet e palmës teksa ngjiten më lart. Ndërkohë, skelat janë përdorur kur shtëpia përfundonte dhe kishte nevojë për zëvendësim ose restaurim.

Sipas Damluji, këto aftësi ndërtimi janë në prag të zhdukjes.

“Ne po shikojmë struktura që mund të qëndrojnë deri në 300 vjet apo më shumë. Ndërtesat e këtushme gjashtë dhe shtatë katëshe janë të ndërtuara me tulla baltë të thara në diell në një mënyrë që asnjë arkitekt bashkëkohor nuk mund të ndërtojë sot”, ka shtuar ajo.

Për të parandaluar që kjo njohuri të humbasë, Damluji punon ngushtë me Fondacionin e Arkitekturës Dawan, i cili po përpiqet të ruajë këto metoda të ndërtimit, duke inkurajuar përdorimin e materialeve dhe metodave tradicionale.

Nga ana tjetër, ndërtesat janë nën kërcënim nga erozioni i vazhdueshëm dhe problemet ekonomike që parandalojnë familjet të kujdesen siç duhet për shtëpitë e tyre të brishta.

Në vitin 2020, Unesco restauroi 78 nga këto ndërtesa që ishin në prag të kolapsit. Gjithashtu po bën çmos për të shpëtuar sa më shumë ndërtesa të jetë e mundur, megjithëse është e vështirë në rrethanat aktuale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore