Shqipëria

Rrjedhja masive e të dhënave personale, Kuvendi miraton rezolutën: Brenda vitit, Komisioneri të mbyllë hetimet administrative


Në seancën plenare të 28 prillit, Kuvendi i Shqipërisë i ka caktuar afat Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, që të mbyllen hetimet dhe të sqarohet publikimi i të dhënave personale të punonjësve shqiptarë.

Pas shqyrtimit të projektrezolutës së paraqitur nga Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut – e miratuar tashmë me 74 vota pro, 24 kundër dhe tre abstenime – Kuvendi i rekomandoi Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishit, që brenda vitit 2022 të përmbyllë hetimin administrativ, mbi publikimin e databazës me të dhënat e pagave të qytetarëve të punësuar në sektorin publik dhe privat dhe asaj të të dhënave të targave të automjeteve.

Për më tepër i kërkoi që të luajë rol aktiv në përmbylljen e procedurave për modernizimin e kuadrit ligjor dhe të vijojë monitorimin dhe mbikëqyrjen proaktive të autoriteteve publike për verifikimin e përditësimit të Programit të Transparencës dhe të Regjistrit të kërkesave dhe përgjigjeve.

E gjitha kjo kërkesë nga Kuvendi vjen me qëllim rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në veprimtarinë e tyre.

Pas vlerësimit të punës për vitin 2021 i kërkuar që të nxisë më tej forcimin e rolit të koordinatorit për të drejtën e informimit.

Kërkesat e Kuvendit për Komisionerin kanë të bëjnë me vijimin e shtrirjes së instalimit të sistemeve elektronike AMS dhe REKPDI në sa më shumë autoritete publike; të angazhohet në krijimin e Rrjetit të nëpunësve për mbrojtjen e të dhënave personale dhe të angazhohet në bashkëpunimin me qytetarë dhe grupe interesi për njohjen e kuadrit të modernizuar ligjor në të dy fushat e përgjegjësisë dhe rritjen e ndërgjegjësimit për zbatimin e tij, etj.

Nga ana tjetër Kuvendi ka vlerësuar rolin e institucionit të Komisionerit në zbatimin e drejtë dhe të paanshëm të mbikëqyrjes ligjore për konsolidimin e standardeve në ushtrimin e të drejtave të njeriut.

Gjithashtu notë pozitve ka marrë kontributi e institucionit në procesin e integrimit evropian të vendit, nëpërmjet zbatimit me sukses të Projektit të Binjakëzimit “Ndërtimi i institucioneve për harmonizimin me acquis të Bashkimit Evropian për të përmbushur kriteret ekonomike lidhur me mbrojtjen e të dhënave”, si dhe në modernizimin e kuadrit ligjor për të drejtën e informimit.

Ndërtimi i ngjarjes

Gjatë muajit dhjetor një rrjedhje masive e të dhënave personale  dhe të pagave të mbi 900 mijë tatimpaguesve në Shqipëri qarkulloi në median sociale. Konkretisht muaji janar dhe prill 2021.

Konkretisht më 22 dhjetor u publikuan pagat e të gjithë punonjësve të sektorit publik dhe privat të muajit janar 2021.

Ndërsa një ditë më pas më 23 dhjetor ndërkohë që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po jepte shpjegime mbi rrjedhjen e të dhënave, u publikua lista e pagave të muajit prill 2021, për të njëjtën kategori.

Ndërsa i pari qarkulloi në rrjetin Whatsapp si dokument, i dyti ka qarkulluar nëpërmjet një linku në rrjetin e shpërndarjes WeTransfer.

Te publikimi i dytë u vërejt fakti se ishin edhe numrat e telefonave të qytetarëve. Ata ishin të vendosur në një faqe më vete, së bashku me datëlindjet dhe vendlindjen e tyre.

Përveç tyre rrjedhja vijoi edhe me targat e çdo shtetasi shqiptar, marka e automjetit, modeli i tyre dhe ngjyra. Numri i të dhënave të publikuara, shkoi në mbi 530 mijë.

Prokuroria e Tiranës nisi hetimet më 22 dhjetor. Asokohe edhe Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale reagoi në lidhje me këtë rrjedhje masive.

“Çdo veprim që mund të duket si një ‘lojë’, në përfundim do të rezultonte si shkelje e ligjit, pasi kemi të bëjmë me një përpunim të paligjshëm të të dhënave personale të shtetasve”, shkruhej në reagimin e Komisionerit.

Hetimet e Porkurorisë së Tiranës

Më 23 dhjetor Prokuroria e Tiranës sekuestroi serverin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Infromacionit (AKSHI).

Një muaj më pas, konkretisht më 7 janar të këtij viti kryeprokurorja e Tiranës, Elisabeta Imeraj – tashmë e shkarkuar për shkak të procesit të Vetting-ut –bëri me dije se ishin arrestuar katër persoan si të dyshuar përgjegjës për rrjedhjen e informacioneve.

Bëhej fjalë për specialisten e AKSHI-t, Eni Qirjako, e cila ka pasur qasje në këto të dhëna. Kjo e fundit ia kishte dërguar mikut të saj, Andi Agaraj, përmes kanalit WeTransfer.

Qirjako dhe Agaraj akuzohen për veprën penale “shpërdorim detyre” kryer në bashkëpunim.

Dy të arrestuarit e tjerë ishin punonjës të subjekteve private, në fushën e përmbarimit, Klodian Sota dhe Endri Ikonomi.

Këta dy të fundit i blinin dorazi të dhënat nga dy punonjësit e instituticioneve publike për 20 deri në 30 mijë lekë për secilin transferim.

I menjëhershëm ishte reagimi nga Dhoma e Përmbarimit, ku ata bënë me dije se në fakt Sota dhe Ikonomi ishin “mashtrues”.

Dhoma e Përmbarimit zbuloi se Ikonomi kishte krijuar kompaninë “PRO 3VT” sh.p.k. Kjo e fundit, sipas deklaratës, shërbente si institucion financiar mikrokredie.

Ndërsa, Sota kishte krijuar kompaninë “SMART COLLECTION” sh.p.k.. Ajo merrej me “mbledhje detyrimesh/kredish të këqija për bankat e nivelit të dytë dhe të tretë…”.

Ndër të tjera Dhoma e Përmbarimit deklaroi se të dyja kompanitë, pa asnjë lloj licence për këto aktivitete, janë regjistruar nga Qendra Kombëtare e Biznesit dhe lejuar nga Banka e Shqipërisë.

Mirëpo Gjykata e Tiranës më 10 janar caktoi masën “arrest në shtëpi” për Andi Agarajn, Klodian Sotën dhe Endri Ikonomin.

Për Qirakjon u caktua masa “detyrim paraqitjeje”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore