Shqipëria

Rritje e numrit të të punësuarve me 2.9% nga tremujori i parë i vitit 2021


Të dhënat e Institutit të Statistika (INSTAT) tregojnë se gjatë tremujorit të dytë të vitit 2021, numri total i të punësuarve është rritur me 1.0 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe me 2.9 për qind krahasuar me tremujorin e parë të këtij viti.

Ndryshe, shkalla e punësimit për popullsinë e grupmoshës 15-64 vjeç rezulton të jetë 60.7 për qind.

Kurse shkalla zyrtare e papunësisë, për popullsinë 15 vjeç e lart rezulton të jetë 11.6 për qind. Ky nivel ka pësuar rënie me 2.5 për qind krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2020 dhe me 1.9 për qind krahasuar me tremujorin e mëparshëm.

Shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për popullsinë 15-64 vjeç në tremujorin e dytë të 2021-shit, ka dalë 69.0 për qind. Kjo, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, është 0.9 pikë përqindje më e lartë, ndërkohë që krahasuar me tremujorin e mëparshëm ka një rritje me 1.5 pikë përqindje.

Shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për popullsinë 15-64 vjeç, Tr. 2/17-Tr. 2/21

Referuar INSTAT-it, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për gratë është 60.9 për qind, ndërsa për burrat ky tregues është 77.3 për qind.

Për burrat, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 16.4 pikë përqindje më e lartë sesa për gratë. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2020, ky tregues për gratë është rritur me 0.2 pikë përqindje dhe për burrat me 1.6 pikë përqindje.

Kurse për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç treguesi është 51.9 për qind. Ai është rritur me 1.1 pikë përqindje, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2020 dhe me 1.7 pikë përqindje në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2021.

Punësimi

Shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç gjatë tremujorit të dytë të vitit 2021 rezulton të jetë 60.7 për qind.

Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, punësimi për popullsinë 15 vjeç e lart ka pësuar rritje me 1.1 për qind. Punësimi ka qenë në rritje me 2.4 për qind në sektorin e industrisë, 1.1 për qind në sektorin e shërbimeve dhe 0.2 për qind në sektorin e bujqësisë.

Ndërkohë, shkalla e punësimit për këtë grupmoshë është 67.8 për qind për burrat dhe 53.7 për qind  për gratë.

Ndryshimi vjetor dhe tremujor i punësimit, për popullsinë 15 vjeç e lart (%)

Papunësia

Në Shqipëri, shkalla zyrtare e papunësisë është 11.6 për qind për tremujorin e dytë të këtij viti. Ajo u ul me 0.3 pikë përqindje, si në krahasim me tremujorin e dytë të vitit 2020, ashtu dhe me tremujorin e parë të vitit 2021.

Për burrat kjo shkallë është 11.8 për qind dhe për gratë 11.3 për qind. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, shkalla e papunësisë është ulur me 0.2 pikë përqindje për burrat dhe me 0.6 pikë përqindje për gratë.

Kurse për të rinjtë nga 15 deri në 29 vjeç, kjo shkallë është 19.9 për qind. Ajo është ulur me 1.5 pikë përqindje nga tremujori i dytë i vitit 2020.

Popullsia ekonomikisht jo-aktive

INSTAT ka nxjerrë se gjatë këtij tremujori, 18.1 për qind e popullsisë ekonomikisht jo-aktive dhe në moshë pune ishin duke përmbushur detyrat shtëpiake, 11.5 për qind në pension ose pension të parakohshëm, ndërsa 10.7 për qind në paaftësi të përhershme.

Ndërkohë, 11.6 për qind e popullsisë ekonomikisht jo-aktive (në grup-moshën 15-64 vjeç) kanë deklaruar se nuk po kërkonin punë pasi besonin se nuk ka punë të disponueshme, pra klasifikohen si të papunë të dekurajuar.

Struktura e popullsisë ekonomikisht jo-aktive sipas gjinisë dhe statusit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore