Shqipëria

Rritje e eksporteve dhe ulje e importeve këtë nëntor


Eksportet e mallrave, këtë nëntor, arritën vlerën 42 miliardë lekë, duke u rritur me 12,9 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Dhe me 10,2 për qind në krahasim me muajin tetor të këtij viti, sipas INSTAT-it.

Kurse importet e mallrave arritën vlerën 77 miliardë lekë, duke u ulur me -3,9 për qind në krahasim me një vit më parë dhe me -7,1 për qind në krahasim me tetorin 2022.

Për këtë muaj nëntor, deficiti tregtar është 35 miliardë lekë, duke u ulur me -18,5 për qind krahasuar me nëntorin 2021 dhe me -21,8 për qind në krahasim me tetorin 2022.

Në këtë njëmbëdhjetëmujor eksportet e mallrave arritën vlerën 447 miliardë lekë, duke u rritur me 32,6 për          qind.

Ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 856 miliardë lekë, duke u rritur me 20,1 për qind krahasuar me një vit më parë.

Deficiti tregtar arriti vlerën 409 miliardë lekë, duke u rritur me 8,8 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.

Sakaq, gjatë muajit nëntor, në rritjen e eksporteve prej 12,9 për qind pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +6,2 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me +5,5 pikë përqindje, “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +3,0 pikë përqindje.

Ndërsa negativisht ka ndikuar grupi: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -4,7 pikë përqindje.

Gjatë këtij njëmbëdhjetëmujori, eksportet janë rritur me 32,6 për qind krahasuar me një vit më parë.

Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të eksporteve, janë: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +9,7 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me +7,7 pikë përqindje, dhe “Tekstile dhe këpucë” me 6,5 pikë përqindje.

Kurse në uljen e importeve prej -3,9 për qind krahasuar me nëntorin e vitit 2021 kanë ndikuar negativisht grupet: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me -8,2 pikë përqindje, “ Ushqime, pije, duhan” me -0,6 pikë përqindje dhe “Lëkurë dhe artikuj prej tyre” me -0,2 pikë përqindje.

Ndërsa pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +2,6 pikë përqindje dhe “Materiale ndërtimi dhe metale” me +1,6 pikë përqindje.

Si njëmbëdhjetëmujor, importet janë rritur me 20,1 për qind krahasuar me njëmbëdhjetëmujorin e parë të vitit 2021.

Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të importeve, janë: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +8,2 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me +3,8 pikë përqindje dhe “ Ushqime, pije, duhan” me +2,7 pikë përqindje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore