Shqipëria

Rritje e eksporteve dhe importeve për janarin 2023 në Shqipëri


Eksportet e mallrave, janarin e vitit 2023, arritën vlerën 42 miliardë lekë, duke u rritur me 20,2 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Po ashtu u rritën me 4,6 për qind në krahasim me muajin dhjetor të vitit 2022.

Kurse importet e mallrave arritën vlerën 58 miliardë lekë, duke u rritur me 5,8 për qind në krahasim me një vit më parë dhe duke u ulur me -38,5 për qind në krahasim me dhjetorin 2022.

Referuar INSTAT-it, defiçiti tregtar i këtij muaji është 16 miliardë lekë, duke u ulur me -19,4 për qind krahasuar me janarin 2022 dhe me -70,3 për qind në krahasim me dhjetorin  2022.

Në rritjen e eksporteve, gjatë muajit janar 2023, pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +12,9 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me +3,7 pikë përqindje, dhe “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +1,6 pikë përqindje.

Ndërsa negativisht ka ndikuar grupi: “Produkte kimike dhe plastike” me -0,8 pikë përqindje.

Kontributi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të importeve:

Kurse në rritjen e importeve, gjatë po të njëjtit muaj, kanë ndikuar pozitivisht grupet: “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +4,1 pikë përqindje, “ Produkte kimike dhe plastike” me +1,8 pikë përqindje dhe “Ushqim, pije, duhan” me +1,3 pikë përqindje.

Ndërsa negativisht kanë ndikuar grupet: “Prodhime druri dhe letre” me -1,0 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -1,0 pikë përqindje. “Tekstile dhe këpucë” me -0,2 pikë përqindje.

Sakaq, në muajin janar të këtij viti, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Janar 2022 janë: Maqedonia (207,5 %), Kosova (31,4 %) dhe Greqia (81,6 %).

Në të kundërt, vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia (-4,1 %), Gjermania (-17,7) dhe Kina (-24,2 %).

Për të njëjtën periudhë, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe te importeve, janë: Kina (27,4 %), Gjermania (16,2 %) dhe SH.B.A. (67,1 %).

Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe të importeve, në krahasim me janarin 2022 janë: Italia (12,3 %), Turqia (4,4 %) dhe Greqia (7,1 %).

Ndërkaq, shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 57,3 për qind, të gjithë tregtisë.

Janarin e vitit 2023, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 68,8 për qind të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 48,9 për qind të importeve gjithsej.

Dhe partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (27,5 %), Turqia (7,2 %) dhe Greqia (7,0 %).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore