Shqipëria

Rritje e eksporteve dhe importeve këtë shtator


Eksportet e mallrave, për muajin shtator të këtij viti, kanë arritur vlerën 39 miliardë lekë , çka ka shënuar një rritje me 16,3 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Po ashtu kanë arritur një rritje me 9,5 për qind në krahasim me muajin gusht të vitit 2022.

Kurse importet e mallrave kanë arritur vlerën 88 miliardë lekë, duke u rritur me 27,4 për qind në krahasim me një vit më parë dhe me 10,5 për qind në krahasim me gushtin e këtij viti.

Sipas raportit të INSTAT-it, deficiti tregtar i këtij muaji është 49 miliardë lekë, duke u rritur me 37,6 për qind krahasuar me shtatorin e vitit  2021 dhe me 11,3 për qind në krahasim me gushtin e vitit 2022.

Eksportet e mallrave, në këtë nëntëmujor, kanë arritur vlerën 366 miliardë lekë, duke u rritur me 37,9 për qind.

Ndërkohë, importet e mallrave kanë arritur vlerën 695 miliardë lekë, duke u rritur me 25,1 për qind krahasuar me një vit më parë.

Kurse deficiti tregtar ka arritur vlerën 329 miliardë lekë, duke u rritur me 13,4 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.

Ndryshimi vjetor në Tregtinë e mallrave(%)

Gjatë muajit shtator të këtij viti, në rritjen e eksporteve prej 16,3 për qind kanë ndikuar pozitivisht grupet: “Tekstile dhe këpucë” me +5,8 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +5,2 pikë përqindje dhe “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +3,0 pikë përqindje.

Ndërsa negativisht kanë ndikuar grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -1,3 pikë përqindje dhe “Lëkurë dhe artikuj prej tyre” me -0,01 pikë përqindje.

Gjatë këtij nëntëmujori, eksportet janë rritur me 37,9 për qind krahasuar me një vit më parë.

Sakaq, grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të eksporteve janë: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +11,1 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me +10,9 pikë përqindje, dhe “Tekstile dhe këpucë” me 6,6 pikë përqindje.

Kontributi i grupeve në ndryshimin vjetor të eksporteve, Shtator2022

Gjatë këtij muaji shtator, në rritjen e importeve prej 27,4 për qind krahasuar me shtatorin e kaluar, kanë ndikuar pozitivisht grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me +8,8 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +5,7 pikë përqindje dhe “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +5,2 pikë përqindje.

Importet, si nëntëmujor, janë rritur me 25,1 për qind krahasuar me nëntëmujorin e parë të vitit 2021.

Dhe grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të importeve, janë: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +10,9 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me +4,8 pikë përqindje dhe “Ushqime, pije, duhan” me +3,5 pikë përqindje.

Kontributi i grupeve në ndryshimin vjetor të importeve, Shtator2022

Këtë shtator, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve në krahasim me shtatorin e kaluar janë: Italia (16,8 %), Gjermania (110,5 %) dhe Maqedonia e Veriut (30,5 %).

Nga ana tjetër, vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Kosova (24,8 %), Spanja (1,6 %) dhe Greqia (26,5 %).

Gjatë këtij nëntëmujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (45,0 %), Kosova (1,8 %) dhe Gjermania (79,2 %).

Ndërsa vendi me të cilin eksportet kanë pasur uljen më të madhe, është Spanja (15,4 %) .

Ndërkohë, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve këtë shtator janë: Italia (7,5 %), Turqia (102,4 %) dhe Greqia (32,4 %).

Kurse vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Kosova (21,6 %), Rusia (28,7 %) dhe SHBA-të (29,3 %).

Gjatë këtij nëntëmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (10,4 %), Turqia (41,8 %) dhe Greqia (33,6 %).

Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: SHBA (17,4 %), Rusia (19,6 %) dhe Zvicra (27,7 %).

Tregtia e jashtme e mallrave sipas disa vendeve të BE-së, Shtator2022

Referuar INSTAT-it, shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 58,4 për qind të gjithë tregtisë.

Në Shtator 2022, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 77,0 për qind të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 50,3 për qind të importeve gjithsej.

Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (26,4 %), Turqia (10,7 %), Gjermania (8,3 %) dhe Greqia (7,8 %).

Për nëntëmujorin 2022, shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 59,5 për qind të gjithë tregtisë. Në periudhën Janar – Shtator 2022, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 73,6 për qind të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 52,1 për qind të importeve gjithsej.

Sakaq, partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (29,4 %), Turqia (8,4 %), Greqia (7,2 %) dhe Gjermania (6,6 %).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore