Shqipëria

Indeksi i çmimeve në 2020-ën: 1.6% më e lartë se në 2019


Instituti i statistikave (INSTAT), ka njoftuar se rritja mesatare vjetore e çmimeve në vitin 2020 është 1,6% nga 1,4 % që ishte në vitin 2019.

Ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin dhjetor 2020 ishte 1.1 %, i njëjtë si një vit më parë. Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin dhjetor krahasuar me nëntorin 2020 është 0,3 %.

Ndryshimi vjetor i çmimeve në dhjetor ishte në nivelet minimale, jo normale për sjelljen konsumatorë shqiptare.

INSTAT shpjegon se rritja vjetore e çmimeve në muajin dhjetor është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +0,95 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,24 pikë përqindje.

Grupi i “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” kanë kontribuar me +0,07 pikë përqindje. Negativisht kanë kontribuar çmimet e grupit “Transporti” “Shëndeti”.

Kurse krahasuar me muajin dhjetor 2019, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2,5 %. Pasuar nga grupet “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” dhe “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 1,2 % secili, “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,9 %.

Krahasuar me muajin Nëntor 2020, çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” u rritën me 0,7 %. Pasuar nga grupet “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” dhe “Transporti” me 0,2 % secili.

“Pije alkoolike dhe duhan”, “Veshje dhe këpucë” dhe “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,1 % secili.

Nga ana tjetër çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” u ulën me 0,2 %, pasuar nga grupet “Komunikimi” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,1 % secili./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore