Shqipëria

Rritja ekonomike në Shqipëri, sa e vërtetë është dhe çfarë pritet?


Gjatë vitit 2021, rritja ekonomike e deklaruar nga ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, kapi vlerat e 8.54%, duke qenë kështu thuajse një pikë poshtë parashikimit prej 9.5%, i cili ishte kryer në mënyrë fillestare.

Ndihmën më të madhe sipas ministres, në këtë rritje, e kishte dhënë sektori i ndërtimit, teksa disa faktorë janë përmirësuar, si për shembull, rritja e punësimit apo ajo e pagës mesatare.

Gjithsesi, duke parë faktin se ekonomia shqiptare vjen nga dy goditje të njëpasnjëshme, siç janë tërmeti i vitit 2019 dhe pandemia e vitit 2020, kjo rritje në sytë e disave, mund të jetë aq reale sa mendohet.

Për Albanian Post, eksperti i ekonomisë dhe taksimit, si edhe ekspert i fiskalizimit, Eduart Gjokutaj, shpjegon se rritja, në terma të përgjithshme, ka ardhur në realitet si rrjedhojë e eksportit të burimeve natyrore.

Eduart Gjokutaj, ekspert i ekonomisë, taksimit dhe fiskalizimit

Sipas Gjokutajt, kryesisht, energjia elektrike në gjashtë muajt e parë të vitit 2021, arriti rekord shitjesh. Kjo, në bazë të dy faktorëve: Fillimisht kushteve të favorshme klimatike dhe së dyti, për shkak të rritjes së numrit të prodhuesve të energjisë në sektorin privat.

Po aq e vërtetë, është edhe se eksport-importet e lëndëve të para të ndërtimit, i kanë dhënë gjallërim të madh ekonomisë dhe kanë ndikuar ndjeshëm në rritjen e saj.

Një tjetër aspekt, është edhe ai i eksportimit të produkteve bujqësore, por edhe e rritjes së konsumit të brendshëm (veçanërisht nga sektori i turizmit)”.

Përtej këtij fakti, sipas ekspertit, është shqetësues fakti që ekonomia shqiptare nuk po bazohet në diversifikimin e burimeve dhe harmonizimin e zinxhirit të furnizimit.

“Rritja ekonomike, frenohet nga një ekonomi që nuk bazohet tek këto faktorë”, shpjegon Gjokutaj. “Në këtë kontekst, optimizimi i burimeve dhe kapaciteteve është ajo që mbetet si nevojë për të ndikuar më shumë dhe më cilësisht në rritjen ekonomike”.

E habitshme mbetet përtej këtij fakti, që një sektor si ndërtimi, të ketë një peshë kaq të madhe sa i përket rritjes ekonomike në një periudhë pas-pandemie, sipas Gjokutajt.

Mirëpo, në kushtet e rindërtimit pas tërmetit të vitit 2019, mund të justifikohet.

“Nisur nga katastrofa natyrore e fundvitit 2019, duket se për ekonominë dhe qeverinë që i dedikoi pjesën më të madhe të fondeve prej 630 milionë Euro në dy vite (2020-2021) ishte ‘pata e artë’ e ekonomisë”, shpjegon ai.

Pas-efekti

Përtej dy ngjarjeve të para (tërmetit dhe pandemisë), një efekt shtesë mbi ekonominë shqiptare, pritet ta japë edhe lufta në Ukrainë.

Mbi këtë, edhe Gjokutaj tregon se mund të ketë implikime.

“Kushtet e ‘taksës’ së tregtisë nga çmimet më të larta të produkteve energjetike, mund të vonojnë një apo dy vite më tej kthimin në atë rrugë të rritjes që ishte parashikuar në lidhje me ekonominë e Shqipërisë”, parashtron ai.

Fatura më e rëndë, përllogaritet që tani sipas ekspertit në uljen e fuqisë blerëse, pas rritjes së çmimeve. Kjo gjë, ndikon për të negativisht edhe tek vetë konsumatori.

Andaj, me rikthimin e pesimizmit në besimin konsumator po gërryhen gjithashtu rezervat financiare të krijuara gjatë pandemisë, veçanërisht për familjet me të ardhura të ulëta, duke ulur shkallën në të cilën kursimi mund të mbështesë konsumin në të ardhmen.

Një fakt me rëndësi sipas tij, është edhe rritja e inflacionit bazë me mbi 5%. Ky teknikalitet, sugjeron se presionet e brendshme inflacioniste, po akumulohen me shpejtësi.

Një sërë sektorësh priten ndërkaq të preken. Ndër to, bëjnë pjesë fasoneria, agrobujqësia, sektori energjetik publik dhe shërbimet e mikpritjes.

Gjithashtu, konsumi pritet të pësojë një goditje të mëtejshme, nëse sfidat e luftës mbeten në këtë nivel. Kjo, edhe për shkak të ndërprerjeve të furnizimit me lëndë të para.

Pikërisht për këtë fakt, sipas Gjokutajt, duhen ndryshuar përkohësisht politikat rregullatore dhe fiskale për t’ju përshtatur të panjohurave globale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore