Jetesë & Stil

Rritja e përdorimit të kremrave kozmetik, sjell abuzime nga farmacitë


Tregu i produkteve kozmetike në Shqipëri po sheh zgjerim çdo vit, me kërkesën në rritje të konsumatorëve. Ky zhvillim nga ana tjetër po përballet me abuzime nga farmaci të ndryshme.

Në një intervistë për Albanian Post, farmacistja Eni Gjoka, shprehet që kjo linjë ka pasur një rritje shumë të lartë nga viti në vit.

“Kremrat e fytyrës janë produktet më të shitura, ku femrat dominojnë  kryesisht klientelën”, shprehet ajo.

Sot është e rrallë të shohësh një femër që nuk aplikon “elementet magjike”, të cilat përmirësojnë pamjen e saj të jashtme, duke e tjetërsuar fytyrën dhe duke i dhënë bukurisë një tjetër kuptim.

Sipas një vëzhgimi në shumë farmaci, dy janë produktet që reklamohen më së shumti në vitrinat e tyre, suplementet ushqimore ose dietike, si dhe produktet kozmetike ku dominojnë kremrat antirrudhë për fytyrën dhe ato kundër celulitit për trupin.

Eni, farmaciste prej katër vitesh në Bulevardin Gjergj Fishta, Lezhë, pohon se kohët e fundit është abuzuar në shitjet e produkteve të tilla, të cilat sipas saj, janë “marrëveshje të distributorëve me farmaci të ndryshme, për të shitur sa më shumë”.

Qeveria shqiptare ka miratuar në vitin 2017 një ligj që synon të vendosë kontroll e rregulla të reja në tregun e produkteve kozmetike. Sipas të dhënave të marra nga Inspektorati Qendror Shëndetësor, krahas rregullave të reja që synojnë rritjen e sigurisë së përdoruesve të produkteve kozmetike, ligji parashikon penalitete për shkelësit e tyre.

Është për tu vlerësuar fakti që qytetarët kanë filluar të kujdesen për veten por është e rëndësishme dhe ndërgjegjësimi për të blerë produkte cilësore e të certifikuara nga institucione ndërkombëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore