Teknologji

Rritja e mashtrimeve të romancës në internet


Gjatë periudhës së pandemisë, në Mbretërinë e Bashkuar, mashtrimet e romancës kanë pësuar rritje me 20% krahasuar me vitin 2019 nëpërmjet marrjes së parave prej numrit të llogarisë bankare me pretendimin se dëshirojnë të krijojnë një lidhje romantike me personin në krahun tjetër të telefonit.

Agjensia e lajmeve, BBC, shkruan se organi kryesor raportues në Mbretërinë e Bashkuar, Action Fraud, ka identifikuar se janë humbur thuajse 68 milionë paund prej mashtrimeve të romancës e cila përkthehet në një rritje të konsiderueshme krahasuar me vitin 2019.

“Bllokimet kombëtare dhe kufizimet e tjera në jetën tonë shoqërore, të zbatuara për shkak të përhapjes së coronavirus-it, kanë bërë që më shumë njerëz kanë kërkuar shoqëri në internet dhe kjo pa dyshim ka ndikuar në numrin e raportimeve”, është shprehur kreu i Action Fraud, Pauline Smith.

BBC shton se organizatat kanë shtuar thirrjet për njerëzit të cilët duhet të tregohen vigjilent dhe të kujdesshëm sidomos përpara ditës së Shën Valentinit.

Ato këshillojnë që ata të cilët lënë takime virtuale të mos dërgojnë para, të mos lejojnë personin tjetër të hyj në llogarinë personale bankare, të transferojnë apo marrin hua. Me rëndësi është edhe të mos dërgojnë kopje të dokumentacioneve personale si pasaporta apo leja e drejtimit.

Për t’ju ardhur në ndihmë përdoruesve të platformave komunikative në internet, organizatat kanë këshilluar një verifikim të imazheve në internet për të kuptuar nëse personi me të cilin shkëmbejnë mesazhe përdor imazhe të rreme.

Nëse vërehet se ka ndodhur një mashtrim i kësaj natyre duhet të lajmërohet menjëherë institucioni financiar dhe të raportohet pranë Action Fraud.

Në vitin 2019 dhe 2020, sipas Action Fraud, shumat e humbura të parave nga mashtrimet e romancës kanë tejkaluar edhe mashtrimet e blerjeve në internet.

Mashtrimi i blerjeve në internet në vitin 2020 përllogaritet rreth 63 milionë paund krahasuar me 68 milionë paund për mashtrimet e romancës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore