Tregjet

Rritja e çmimit të naftës, afër parashikimeve


Parashikimet e analistëve se çmimi për fuçi i naftës pritet të kapë vlerën e 100 dollarëve duket se po del i vërtetë.

Të martën e 22 shkurtit, çmimi i naftës së papërpunuar Brent, ka arritur në nivelin më të lartë në shtatë vite, 99.38 dollarë për fuçi.

Rritja ndërkaq po vazhdon me ritme të shpejta e ndikuar edhe nga frika e krizës Ukrainë-Rusi. Frikë që, bazohet te ndërprerja e furnizimeve me naftë në mbarë botën.

Veç një ditë më parë, 21 shkurt, Brent kishte rritje me 2.6 për qind për fuçi në 97.87 dollarë.

E përllogaritur që nga fillimi i vitit 2021, rritja rezulton të jetë 80 për qind më shumë.

Prandaj dhe parashikimet se nafta do të rritet me 100 dollarë për fuçi në rast se kriza përshkallëzohet, nuk mund të jenë shumë larg.

Nëse merret në shqyrtim një kalim nga dhjetori i vitit të kaluar  deri në janarin e këtij viti, nafta e papërpunuar Brent ka pësuar një rritje me 11 dollarë për fuçi.

Thuajse në të njëjtën sasi që prej fillimit të shkurtit, mbështetur nga shqetësimet për furnizimin inflacioni në rritje dhe tensionet gjeopolitike.

Rritja bëhet edhe më e dukshme kur pasqyrohet mes muajve dhjetor, janar dhe shkurt.

Më datë 20 dhjetor 2021, çmimi i naftës ka qenë 71.52 dollarë për fuçi. Në po të njëjtën datë të muajit pasardhës, çmimi ka shkuar në 88.38.

Ritmi nuk është ndaluar. Fundi i muajit shkurt të këtij viti e çon çmimin mbi 90 dollarë për fuçi, duke iu afruar dita-ditës parashikimeve.

Çka e tregon edhe rritja me mbi 10 për qind që nga fillimi i shkurtit.

Mirëpo, situata shihet problematike nga analistët. Kjo sepse ndikimi i krizës Ukrainë-Rusi po ndjehet dukshëm në tregjet e naftës.

E gjitha sepse Rusia, me fjalë të tjera, ka në dorë një në çdo 10 fuçi nafte të konsumuara globalisht. Është eksportuesja e dytë më e madhe e naftës pas Arabisë Saudite.

Kjo e kthen atë në një lojtar kryesor kur bëhet fjalë për çmimin e naftës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore