Biznes

Rritja e çmimit të karburantit po kërcënon rimëkëmbjen nga pandemia të linjave ajrore


Rritja e mprehtë e çmimit të karburantit duket se po kërcënon rimëkëmbjen e ngadaltë të industrisë ajrore nga kriza e pandemisë.

E përditshmja “Financial Times” dallon se gjatë kësaj jave, çmimet e naftës u ngjitën në nivelet e tyre më të larta në shtatë vjet, duke shkaktuar shqetësime të reja mbi kostot e transportuesve.

Kjo pasi kërkesa e vakët e udhëtarëve vazhdon edhe pas 18 muajve të kufizimeve në sektorin e udhëtimeve.

Referuar të dhënave nga Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror, çmimi i karburantit të avionëve është dyfishuar në afro 750 dollarë për ton gjatë vitit të kaluar.

Jo më larg se javën e kaluar, Delta Air Lines veçoi kostot e karburantit pasi parashikoi një kthim në humbje në tre muajt e fundit të vitit.

“Çmimet e karburantit vazhdojnë të rriten, gjë që do të ushtrojë presion mbi aftësinë tonë për të mbetur fitimprurës”, ka thënë shefi ekzekutiv i linjës ajrore, Ed Bastian.

Përgjithësisht, linjat ajrore do të përpiqen të kalojnë kostot në rritje për pasagjerët duke rritur çmimet e biletave, por industria është ende duke operuar në një mjedis shumë të pasigurt.

Numri i pasagjerëve rezulton shumë nën nivelet normale dhe disa transportues janë duke u përpjekur të stimulojnë tregun përmes tarifave të ulëta, sqaron “Financial Times”.

Vitin e kaluar, shumë kompani ajrore hoqën dorë nga reduktimi i riskut i kërkesave të tyre të ardhshme për karburant kur kaosi përfshiu tregun e naftës, duke mbetur më të ekspozuar ndaj rritjes së çmimeve të naftës.

“Shumica e linjave ajrore pësuan humbje të mëdha vitin e kaluar, pasi kërkesa shpërtheu përballë pandemisë COVID dhe ata u lanë të mbanin kontrata për dërgesa me çmime shumë më lart”, ka thënë Mark Simpson, një analist i aviacionit.

Kështu, vazhdon ai, “shumica e linjave ajrore tkurrën strategjitë e tyre menaxhuese, duke i lënë ata lakuriq përballë rritjes së shpejtë të kostove të karburantit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore