Shqipëria

Rritja e çmimeve të karburanteve, Konfindustria: 5-8% u grabitet qytetarëve nga shitja e naftës, benzinës dhe gazit


“Sipas vlerësimeve të tërthorta krahasuese me vendet fqinje llogaritet, se për naftën dhe benzinën grabitja në volume mund të arrijnë në jo më pak se 5% dhe për gazin e lëngshëm jo më pak se 8% të sasisë së shitjes”.

Ky ka qenë reagimi i Konfederatës së Industrive të Shqipërisë të hënën e 27 qershorit duke e quajtur rritjen e shpejtë të çmimeve të karburanteve “abuzive”.

Konfindustria ka shprehur shqetësimin për problematikat me abuzimet në volumet e shitjes së karburanteve për bizneset dhe qytetarët.

Sipas saj shërbimi i kontrollit të metrologjisë së pikave të karburantit është dhënë me koncesion të tipit PPP, duke e bërë tërësisht të paqartë sesi mund të kontrollohen ligjërisht abuzimet në rastin në fjalë.

Ajo vijon deklaratën sqaruese se shqetësimet nga ana e tyre kanë ardhur në shtim sidomos në gjysmën e dytë të vitit 2022, që i përket edhe rritjes së fortë të çmimit të karburanteve.

“Abuzimet me volumet e tregtuara janë të ndjeshme për të gjitha llojet e karburanteve dhe veçanërisht në tregtimin e gazit të lëngshëm”, bën me dije ajo.

Në vijim Konfindustria shton se tregu i karburanteve në Shqipëri qarkullon të paktën 1,5 miliard dollarë, kosto e bizneseve dhe qytetarëve shtohet në dhjetëra milionë euro/vit.

Gjithashtu, sipas saj pasoja të rënda i shkaktohen buxhetit të shtetit “duke ditur se 60% e çmimit të karburanteve janë taksa dhe tatime”.

Kujtojmë që aktualisht çmimi i naftës tregtohet me 258 lekë/litri,  benzina me 239 lekë/litrit dhe gazi 83 lekë/litri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore