Lajme

Rritja e aktivitetit fizik ul rrezikun e kancerit të gjirit


Rritja e aktivitetit fizik dhe zvogëlimi i kohës së qëndrimit ulur ka të ngjarë të zvogëlojë rrezikun e kancerit të gjirit.

Kështu sugjeron një studim i ri që ka mbledhur të dhëna nga më shumë se 100 mijë gra.

Një ekip ndërkombëtar që përfshin studiues nga Australia, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-të kanë përdorur analizën gjenetike për të vendosur një marrëdhënie shkakësore midis niveleve të aktivitetit të përgjithshëm dhe rrezikut të kancerit.

Teksa hulumtimet e mëparshme kanë treguar një korrelacion midis aktivitetit fizik dhe uljes së rrezikut të kancerit të gjirit, vërtetimi i shkakësisë ka qenë i vështirë.

Sipas autores Brigid Lynch, studimi ri “sugjeron se është vërtet një efekt shkakor: aktiviteti fizik zvogëlon rrezikun e zhvillimit të kancerit të gjirit”.

“Ne pamë një reduktim të rrezikut në të gjitha llojet e kancerit të gjirit”, ka thënë ajo.

Studiuesit përdorin një teknikë të kampionimit të rastësishëm dhe zbuluan se një nivel më i lartë i aktivitetit fizik, ose lëvizjet e përgjithshme, lidhet me një reduktim prej 41 për qind të rrezikut të kancerit të gjirit.

Te gratë para dhe pas menopauzës, aktiviteti fizik i shëndetshëm tre ditë në javë lidhet me një rrezik 38 për qind më të ulët të kancerit të gjirit.

“Për çdo 100 minuta të kohës së ulur në ditë kemi vërejtur një rritje të rrezikut prej 20 për qind në kancerin e gjirit në përgjithësi dhe një dyfishim të rrezikut për kancerin e gjirit trefish negativ, i cili është më agresiv dhe i vështirë për t’u trajtuar”, ka vijuar Lynch.

Referuar studimit, aktiviteti fizik ul rrezikun e kancerit të gjirit sepse zvogëlon sasinë e hormoneve të estrogjenit dhe androgjenit që qarkullojnë në gjak.

Reduktimi i inflamacionit mund të jetë gjithashtu një faktor.

“Gjithmonë ka pasur shumë fokus në sjellje të tjera shëndetësore si ushqimi i shëndetshëm, mbajtja e një peshe të shëndetshme, reduktimi i marrjes së alkoolit”, ka treguar Lynch.

Por ka theksuar se ka një rol të madh për aktivitetin fizik në parandalimin e kancerit.

Hulumtimi i mori të dhënat nga Biobank në Mbretërinë e Bashkuar dhe 76 studime të tjera të kryera si pjesë e Konsorciumit të Shoqatës së Kancerit të Gjirit.

Një kufizim i studimit ishte se ai përfshinte vetëm të dhëna nga gratë me prejardhje evropiane.

“Nuk mund të themi me siguri se këto instrumente gjenetike janë të zbatueshme në prejardhje të ndryshme racore”, ka dalluar autorja e studimit.

Megjithatë, ka shtuar se studimet në Azi dhe për gratë e etnive të ndryshme në SHBA kanë gjetur po ashtu korrelacione midis aktivitetit fizik dhe rrezikut të reduktuar.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore