Shqipëria

20 humbje jete në Shqipëri nga Covid-19/ Ulet numri i rasteve të reja


Gjatë 24 orëve të fundit, 20 persona kanë humbur betejën me coronavirus-in dhe kanë rezultuar pozitivë 764 qytetarë në Shqipëri.

Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS), nëntë qytetarë janë nga Tirana, dy nga Berati, Fieri, një nga Durrësi, Elbasani, Peqini, Kurbini, Rrogozhina, Kavaja dhe nga Delvina. Këta persona i përkasin grupmoshës 48-85 vjeç.

Ditën e sotme janë vaksinuar 800 qytetarë. Deri më tani janë kryer 14 mijë e 295 vaksina anti-Covid. Procesi i vaksinimit ka vijuar në disa qendra vaksinimi.

Aktualisht në spitalet COVID, në Tiranë dhe në spitalet rajonale Shkodër, Durrës, Elbasan, janë duke u trajtuar 659 pacientë. 43 pacientë ndodhen në terapi intensive, nga të cilët 11 janë të intubuar.

Janë kryer 2 mijë e 714 testime dhe janë shëruar 640 qytetarë.

Dy javët e fundit kanë pasur rritje të numrit të vdekjeve në Shqipëri, që nga shfaqja e coronavirus-it. Gjithashtu shihet se rastet e reja kanë pasur një ulje të numrit këto ditë.

Kujtojmë se më 25 shkurt u mblodh Komiteti Teknik i Ekspertëve, ku deklaroi se mbeten në fuqi masat që u morën më 11 shkurt, për parandalimin e coronavirus-it. Kufizimi i lëvizjes vazhdon nga ora 20:00-06:00. Kjo masë është shoqëruar gjithashtu me rritjen e gjobave për personat apo subjektet që shkelin ligjin.

Pritet gjithashtu se, gjatë këtyre ditëve, do të mblidhet sërish Komiteti.

Prandaj, Ministria ka bërë sërish thirrje që të vendoset maska, të shmangen grumbullimet, të ruhet distanca dhe të tregohet kujdes për higjienën vetjake.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore