Lajme

Rritet numri i të vdekurve nga “Super Tajfuni Rai” në Filipine


Pamje pas Filipinet u goditën nga tajfuni

Të paktën 375 njerëz kanë vdekur deri më tani pasi një stuhi e fuqishme goditi Filipinet të enjten. Numri është konfirmuar nga autoritet e vendit.

Super tajfuni “Rai” – me erëra prej rreth 195 km/h (120 mph) – bëri që rreth 400 mijë njerëz të vrapojnë, për siguri kur goditi ishujt juglindorë të vendit.

Të paktën 500 persona u plagosën dhe 56 të tjerë janë raportuar të zhdukur nga policia lokale.

Ekipet e shpëtimit kanë përshkruar skena të “masakrimit të plotë”.

Por përcaktimi i shkallës së humbjeve është i vështirë, pasi komunikimi me një sërë zonash është ndërprerë.

Ekziston frika se rrëshqitjet e dheut dhe përmbytjet mund të kenë marrë më shumë jetë.

“Shumë zona nuk kanë energji, nuk kanë komunikim dhe shumë pak ujë”, tha kryetari i Kryqit të Kuq të Filipineve, Richard Gordon, për të përditshmen britanike “BBC”.

Më tej, ai shtoi se, “ka disa zona që duken sikur janë bombarduar më keq se Lufta e Dytë Botërore”.

Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe ka nisur një apel urgjent, duke kërkuar 20 milionë franga zvicerane (16 milionë paund; 22 milionë dollarë) për të financuar përpjekjet afatgjata të ndihmës.

Nga ana tjetër, vullnetarët janë në vendngjarje, duke dhënë ndihmë urgjente “për njerëzit që kanë humbur gjithçka”, tha ai.

Mijëra personel ushtarak, roje bregdetare dhe zjarrfikës janë vendosur në zonat më të prekura të vendit për të ndihmuar në përpjekjet e kërkimit dhe shpëtimit.

Avionët ushtarakë dhe anijet detare po sjellin ndihma në zonat më të goditura.

Ndërkohë, presidenti i Filipineve, Rodrigo Duterte, ka kryer një inspektim ajror të zonave të shkatërruara nga stuhia.

Videot e postuara në mediat sociale nga ndihmësit e tij tregojnë dëme të mëdha në ishujt Siargao, Dinagat dhe Mindanao.

Guvernatorja e ishujve Dinagat, Arlene Bag-ao, në median sociale “Facebook” deklaroi se rajoni ishte “rrafshuar” nga tajfuni.

Ajo tha se dëmi “të kujton, nëse jo më keq se kur Yolanda goditi provincën tonë”.

Më shumë se 6 mijë njerëz vdiqën kur ajo stuhi – e njohur gjithashtu si tajfuni “Haiyan” – goditi vendin në 2013-ën. Ajo mbetet stuhia më vdekjeprurëse e regjistruar në vend.

Mesatarisht, rreth 20 stuhi dhe tajfune godasin Filipinet çdo vit.

Super-tajfuni “Rai” ishte më i fuqishmi që ka goditur Filipinet në vitin 2021 – me shumicën e cikloneve që zhvillohen midis korrikut dhe tetorit.

Shkencëtarët kanë paralajmëruar prej kohësh se rritja e temperaturave globale, e shkaktuar nga ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu, po bën që tajfunet të bëhen më të fuqishëm dhe të forcohen më shpejt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore