Shqipëria

Rritet kuota me 150 studentë më shumë në Universitetin e Mjekësisë


“Nga viti i ardhshëm, do të jenë +150 kuota pranimi mbi ato aktualet për studentët e Mjekësisë”.

Kështu ka deklaruar ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, të hënën e 22 nëntorit pasi nënshkroi një Memorandum Bashkëpunimi me rektorin e Universitetit të Mjekësisë, Prof. Dr. Arben Gjata.

Kjo marrëveshje ka të bëjë me edhe me ofrimin e praktikave klinike e profesionale në disa spitale të vendit.

Ministrja në fjalën e saj tha se, “tashmë kuota e pranimit në vit do të jetë 450 studentë. Kjo është pjesë e planit disa vjeçar për të patur më shumë mjekë të përgjithshëm”.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu dhe rektori i Universitetit të Mjekësisë, Prof. Dr. Arben Gjata.

Më tej Manastirliu duke e konsideruar një sfidë rritjen e kuotave në Mjekësi, ajo tha se në spitalet Rajonale – ku është investuar së fundmi – do të vendosen në funksion të formimit dhe edukimit të studentëve dhe specialistëve.

Ajo përmendi spitale si ai i Elbasanit, i Durrësit, i Shkodrës dhe mbi të gjitha Spitalin Memorial të Fierit.

“Nuk është një sfidë e lehtë për të realizuar standardet me universitetet e tjera, në qytete të tjera, sikurse është Universiteti i Durrësit apo Universiteti i Elbasanit, por ngarkesën më të madhe do ta ketë sërish Universiteti i Mjekësisë së Tiranës”, theksoi Ministrja.

Spitali Memorial i Fierit.

Nga ana tjetër Prof. Dr. Gjata i konsideroi këto spitale Rajonalë të gatshme për pritur specializantët e Mjekësisë.

Në vijim Ministrja bëri me dije se, “ka përfunduar projekti i përbashkët i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Universitetit të Mjekësisë për të ngritur një qendër të bio-simulimit klinik”.

Kjo e fundit do të ndërtohet në ambientet ku sot është Spitali i Sëmundjeve të Brendshme, pasi të përfundojë përmbyllja e ndërtimit të spitalit të ri.

Për sa i përket ndërkombëtarizimit të Universiteti të Mjekësisë, Manastirliu ritheksoi se po ecët me ritme shumë të mira bashkëpunimi me Universitetin e Bolonjës dhe Universitetin e Mjekësisë në Budapest, në kuadër të zhvillimit të doktoratave të përbashkëta.

“Në vitet e fundit është dyfishuar numri i mjekëve për 1 mijë banorë. 1 mijë e 200 mjekë dhe 3 mijë e 800 infermierë janë punësuar në katër vitet e fundit nëpërmjet portalit ‘Mjekë për Shqipërinë’ dhe ‘Infermierë për Shqipërinë’”, e përmbylli fjalën e saj ministrja Manastirliu.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore