Shqipëria

Rriten pagat këtë vit, administrata më e paguara


Sipas treguesve të tremujorit të parë të vitit 2021, paga mesatare mujore bruto u rrit me 5.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Statistikat e publikuara nga Instituti i Statistikave në Shqipëri (INSTAT) tregojnë që paga mesatare bruto në Shqipëri është 56 mijë e 19 lekë.

Ndër profesionet më të paguara janë ato në sektorin financiar dhe teknologjinë e informacionit. Nga ana tjetër, mbeten ndër më pak të paguarit, sektorët e bujqësisë dhe ndërtimit.

Statistikat konkrete

Për një të punësuar në sektorin e aktiviteteve financiare, paga mesatare është 81.2% më e lartë se mesatarja në nivel kombëtar. Nga ana tjetër, për të punësuarit në bujqësi, ajo është 37% më e ulët se sa mesatarja.

Sektorët me rritjen më të madhe vjetore, janë ato në grup-aktivitetet e administratës. Këtu bëjnë pjesë, administrata publike dhe e mbrojtjes, sigurimi social i detyrueshëm, arsimi, shëndetësia dhe aktivitetet e punës sociale.

Të lartpërmendurat, kanë rritjen më të madhe me 8.3% krahasuar me vitin e shkuar. Aktivitetet financiare, ndonëse janë fusha më e paguar, kanë rënie të pagave me 3.3% krahasuar me një vit më parë.

Për sa i përket profesioneve të tjera, punëtorët kanë një rritje të pagave me 7.8%. tek ligjvënësit, rritja është prej vetëm 2.2%.

Sipas grup-profesioneve, pesë janë mbi pagën mesatare dhe po aq nën të.

Kështu, ligjvënësit dhe nëpunësit e lartë të administratës janë më të paguarit. Specialistët vijojnë në listë, më pas forcat e armatosura, teknikët dhe në fund nëpunësit.

Më të ulëta renditen pagat tek punonjësit e bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit. Më pas më në rritje, vijnë ato të punëtorëve, punonjësve të makinerive, zejtarëve dhe atyre në sektorin e shitjeve dhe shërbimeve.

Kjo rritje e pagave vjen edhe falë rritjes së pagës minimale me 4 mijë lekë. Kjo, e çoi atë në 30 mijë lekë. Ligji hyri në fuqi në vitin 2021 dhe kjo referohet edhe në statistikat e pagave.

Këto të dhëna reflektohen edhe në shifra që vijnë nga rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto gjatë vitit 2020.

Industria dhe ndërtimi janë ato të cilat janë rritur më së shumti. Në rënie të PBB-së është vetëm bujqësia, pyjet dhe peshkimi. Kjo, edhe për shkak të pandemisë Covid-19.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore