Shqipëria

Rriten me 15% të ardhurat e shoqërive private shëndetësore


Të ardhurat e 19 shoqërive në fushën e shëndetit, spitale private, depo farmaceutike, laboratorë analizash dhe tregtim i oksigjenit, u rritën me 15% gjatë vitit të pandemisë COVID-19, në Shqipëri.

Viti 2020 shënoi rritjen e të ardhurave të operatorëve kryesorë që veprojnë në biznesin e shëndetësisë, me gati 50 milionë euro më shumë, sipas analizës së Monitor.

Nga tetori 2020 deri në mars të vitit 2021, shpenzimet mujore për produkte farmaceutike e mjekësore u rritën mesatarisht me 24 deri në 28%, krahasuar me të njëjtët muaj të vitit 2019, kur pandemia nuk kishte prekur vendin tonë.

Gjithashtu, importet e medikamenteve kanë pësuar rritje, duke kapur shifrën prej 22.7 miliardë lekë sipas Instituti të Statistikave në Shqipëri (INSTAT), krahasuar me mesataren e vitit 2018-2019.

Ndër kompanitë që kanë pësuar rritje të të ardhurave ishte “Intermedica Center” dhe Genius lab”.

E para rriti të ardhurat me 55%, gati 1 miliard lekë, ndërsa e dyta pesëfishoi xhiron, duke rritur fitimin me 535 milionë lekë.

Pse drejt sistemit shëndetësor privat?

Ekonomisti Vjoldi Danaj, shpjegon për Albanian Post, se ka dy arsye kryesore pse shqiptarët zgjedhin të kurohen në spitale private.

“Ka pasur presion të madh psikologjik”, shprehet ai, ndaj spitalet publike “shihen me skepticizëm dhe frikë”.

Realizimi i kaq shumë spitaleve tregon “një mungesë të theksuar të sistemit shëndetësor publik”.

“Kjo sepse, sistemi shëndetësor publik nuk arrin dot të realizojë pritshmëritë e qytetarëve”, analizon eksperti i ekonomisë.

Një kurë për shërimin ndaj COVID-19, kushtonte mesatarisht 1 milion lekë, sipas ekonomistit Danaj, dhe po të llogarisësh korrupsionin në spitalet publike “janë të njëvleftshme” me koston e kurimit në ato private.

Ndër të tjera, Danaj shpjegon se numri “i lartë” i spitaleve private ndikon “negativisht” te ekonomia e popullsisë.

“Masa e popullsisë nuk e kanë mundësinë të përballojnë kurimin në këto lloje spitale”, shprehet ai duke theksuar se ekzistenca e këtyre spitaleve private “nuk sjell ndonjë zhvillim në ekonominë reale”.

Por, përmbylli ai, “sjell zhvillim në shtresën më të kamur të shoqërisë”, që për Danajn, “janë më të paktë në krahasim me masën”.

Rritja e të ardhurave në spitalet private

Raporti i publikuar nga INSTAT tregon se, shumë qytetarë i janë drejtuar shërbimeve të spitaleve private në Shqipëri, duke rritur kështu të ardhurat ekonomike.

“Spitali Amerikan”, ai më i madh privat në vend, siç raportohet nga INSTA, raportoi të ardhura prej 6 miliardë lekësh, me një rritje prej 10.7% me bazë vjetore. Kurse humbjet ishin në nivelin e 24 milionë lekë.

E njohur si ish-Hygeia, “International Hospital”, që në mes të vitit 2018 u ble nga “Spitali Amerikan”, raportoi qarkullim vjetor prej 2.6 miliardë lekësh, në 2020-n. Duke shënuar rritje prej 4.4% me bazë vjetore.

Ndërsa spitali i tretë më i madh në vend, “Salus”, ka deklaruar 450 milionë lekë të ardhura. Konkretisht ka pësuar rritje me 4.4% në vitin 2020.

Ndërsa humbjet në këtë spital ishin rreth 32 milionë lekë, më të ulëta se kulmi prej -482 milionë lekësh që kishte në 2018-n.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore