Kosova

RrGK: Dhunimi i 12 vjeçares në Kamenicë të trajtohet me urgjencë


Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK).

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka kërkuar që rasti i dhunimit të 12-vjeçares në Kamenicë të trajtohet me urgjencë nga institucionet e Kosovës.

“RrGK specifkisht kërkon që ky rast të trajtohet me ndjeshmëri gjinore, ashtu siç parashihet në Konventën e Stambollit, si dhe të sigurohet trajtimi i duhur psiko-social i viktimës. Po ashtu, përmes kësaj kumtese njoftojmë se RrGK do ta përcjell rastin nga afër dhe do të kërkojë vënien e drejtësisë në vend”, thuhet në njoftimin e RrGK-së.

RrGK-ja po ashtu ka përkrahur kërkesën e Prokurorisë Themelore në Gjilan, që ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj M.J i cili dyshohet së ne në tetor të këtij viti ka dhunuar një vajzë 12 vjecare në Kamenicë.

“I dyshuari aktualisht gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh, kurse, marrë parasysh seriozitetin dhe ndjeshmërinë e krimit, ne i bëjmë thirrje Gjykatës Themelore të Gjilanit që ky rast të trajtohet në përputhje me Kodin Penal të Kosovës, përkatësisht nenin 227 për veprën “Dhunim”.

“RrGK nuk do të ndalet derisa dhuna ndaj vajzave dhe grave të mos trajtohet vetëm si lajm ditor apo si çështje private”.

Prokuroria Themelore në Gjilan.

Prokuroria Themelore në Gjilan ka kërkuar paraburgim për personin që dyshohet se ka kryer veprën penale “dhunim”, kundrejt një të miture 12 vjeçare në komunën e Kamenicës.

Bazuar në njoftimin dhe kërkesën e prokurorisë, “ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri M.J., gjatë muajit tetor 2021, në komunën e Kamenicës, e ka keqpërdorur seksualisht të miturën”.

“Me urdhër të prokurorit të shtetit, i pandehuri gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh”, thuhet në komunikatën për media.

Policia e Kosovës për këtë rast kishte njoftuar përmes raportit 24 orësh, ku u tregua edhe se është arrestuar i dyshuari.

“Është arrestuar një i dyshuar mashkull nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën e lartcekur ndaj viktimës femër e mitur. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e policisë.

Për këtë rast ka reaguar edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Vasfije Krasniqi, e cila kërkoi ndëshkim për kryesin e kësaj vepre dhe drejtësi për viktimën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore