Aplikacione

Rrëzohet pretendimi i Facebook-ut nga gjykata


Gjykata e Lartë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka hedhur poshtë pretendimin e Facebook-ut për të zmbrapsur një proces gjyqësor prej 15 miliardë dollarësh që akuzon kompaninë për ndjekjen e paligjshme të aktiviteteve të përdoruesve në internet edhe kur ata dalin nga platforma.

Agjencia e lajmeve, Reuters, zbulon se gjyqtarët nuk kanë pranuar të dëgjojnë thirrjen e Facebook-ut për një vendim më të ulët të gjykatës duke rihapur çështjen gjyqësore që akuzon kompaninë për shkeljen e një ligji federal të quajtur Akti i Përgjimit.

Shkelja e ligjit federal ka të bëjë me ndjekjen në mënyrë të fshehtë të vizitave të përdoruesve nëpër faqe interneti, të cilat përdorin veçoritë e Facebook-ut siç është butoni “like”.

Gjithashtu, procesi gjyqësor e akuzon kompaninë për shkeljen e të drejtave të privatësisë së përdoruesve bazuar në ligjin e California-s. Mirëpo, apeli i Facebook-ut në Gjykatën e Lartë përfshin vetëm Aktin e Përgjimeve.

Procesi është nisur nga katër individë, të cilën kërkuan 15 miliardë dollarë dëmshpërblim për veprimet e Facebook-ut me bazë në California.

Nga ana tjetër, kompania ka deklaruar se është në mbrojtje të privatësisë së përdoruesve të vet dhe se nuk duhet të përballet me përgjegjësi mbi komunikimet e zakonshme me kompjuter.

Lidhur me platformën, numëron më shumë se 2.4 miliardë përdorues në të gjithë botën dhe më shumë se 200 milionë prej tyre gjenden vetëm në SHBA.

Bashkë me skedarët digjital të quajtur “cookies”, të cilët mund të ndihmojnë në identifikimin e përdoruesve në internet, paditësit e kanë akuzuar Facebook-un edhe për shitjen e këtyre të dhënave reklamuesve si një mënyrë përfitimi.

Por, Facebook-u ka thënë se i përdor të dhënat e marra për të përshtatur përmbajtjen që do ju shfaqet përdoruesve të vet dhe për të përmirësuar reklamat në shërbimin e tij.

Në vitin 2017, çështja u hodh poshtë nga Gjykata e Apelit e Qarkut të 9-të në SHBA me qendër në San Francisco, por u rihap në vitin 2020 duke bërë që Akti i Përgjimit dhe pretendimet e privatësisë të vazhdojnë.

“Profilet e përdoruesve të Facebook-ut gjoja do të zbulonin pëlqimet, mospëlqimet, interesat dhe zakonet e një individi për një kohë të konsiderueshme, pa u dhënë përdoruesve mundësi kuptimplote për të kontrolluar ose parandaluar ekspotimin e paautorizuar të jetës së tyre private”, është thënë në vendimin e Qarkut të 9-të.

Akti në fjalë, ndalon përgjimin e komunikimeve elektronike, por përjashton njerëzit që janë palë në komunikim, dërguesin ose marrësin e informacionit. Ndërkohë, Facebook-u në apelin e tij, shprehet se nuk është përgjegjës pasi është palë në këto komunikime prej shtojcave të tij.

“Facebook-u nuk është një ndërhyrës i paftuar në komunikimet midis dy palëve të ndara, ai është një pjesëmarrës i drejtpërdrejtë”, ka sqaruar kompania.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore