Shqipëria

Rrëzohet kërkesa për ndryshimin e rendit të ditës, vijojnë punimet


Deputetët e mazhorancës votuan kundër kërkesës së opozitës për të ndryshuar rendin e ditës për seancën e 23 shkurtit në Kuvend, që si pikë e parë të përfshihet çështja Rama-McGonigal.

Punimet e parlamentit vijuan normalisht me debatin mes ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu dhe deputeti demokrat Zef Hila.

Kjo, lidhur me disa problematika te evidentuara nga banorët e zonës për menaxhimin e Qendrës Sociale për të Moshuar “Besa”, në Barbullush, bashkia Vau Dejës.

Kërkesa u dorëzua të mërkurën e 22 shkurtit nga përfaqësues të opozitës, duke vërejtur dokumentin e siguruar nga Albanian Post.

“Bazuar në Nenin 31 pika 2 dhe Nenin 98 të Rregullores së Kuvendit, një grup deputetësh të opozitës kërkojnë: ndryshimin e Rendit të Ditës; përfshirjen si pikë e parë e Rendit të Ditës të një Mocioni me Debat për çështjen e mësipërme dhe që debati të jetë me kohë të pakufizuar.

Sipas tyre, çdo deputet të ketë një kohë minimalisht prej 10 minutash për të diskutuar.

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste (PS), Taulant Balla, deklaroi më herët se zhvillimi i mocionit me debat është dakordësuar për të qenë më 2 mars.

“Lidhur me mocionin me debat, është vendosur data 2. Më duket qesharake që ju të mos pranoni datën 2 por të spostoni sot duke e ditur shumë mirë që kryeministri ndodhet në vizitë zyrtare në Japoni”, u shpreh fillimisht Balla.

Sipas tij, në pamundësi për t’u zhvilluar më 23 shkurt, debati do të zhvillohet me datën 2 mars sipas të gjitha kërkesave përfshirë dhe kohën e zhvillimit të debatit.

“Çdo deputet mund të marrë fjalën jo më shumë se 10 minuta. Ky do të jetë debati më i gjatë i zhvilluar në historinë e Kuvendit të Shqipërisë”, shtoi ai.

Në përmbyllje të fjalës, Balla vërejti se kjo seancë nuk ka të bëjë me komisionin hetimor apo me debatin McGonigal, por është “një përpjekje e PD-së për të intimiduar drejtësinë”.

Më 2 mars të gjithë deputetët do të mbajnë fjalën e tyre sa i takon çështjes së shumëpërfolur “McGonigal”.

Kështu u votua në Kuvendin e Shqipërisë, teksa u tha se në mocion është e përfshirë edhe interpelanca me kryeministrin Edi Rama.

Mazhoranca ka bërë me dije se Rama, do të jetë i pranishëm atë ditë në sallën e Kuvendit.

Seanca do të zgjasë 12 orë, që të paktën çdo deputet i Republikës të ketë pesë minuta kohë në foltore.

McGonigal dhe kërkesa e opozitës

Opozita e akuzon Ramën se “ka korruptuar Charles McGonigal”, një ish-zyrtar i lartë i kundërzbulimit të FBI-së.

Ky i fundit, akuzohet në Shtetet e Bashkuara se ka fshehur nga FBI-ja detajet e një udhëtimi në Shqipëri në vitin 2017 me një ish-zyrtar të inteligjencës shqiptare, i cili dyshohet se i kishte dhënë të paktën 225 mijë dollarë.

Vetë Rama e ka pranuar takimin me McGonigal, por ka mohuar akuzat se i ka dhënë para ose trajtim preferencial.

Por mesa duket opozita nuk është e bindur dhe kërkoi fillimisht që vetë kryeministri të ishte i pranishëm në një interpelancë.

Për mazhorancën kjo interpelancë e kërkuar nga opozita, ishte fillimisht e ezauruar me përgjigjet e ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali – e zgjedhur nga numri një i Qeverisë si përfaqësuesja e tij.

Por, teksa kërkesa opozitare për “ballafaqim me vetë Ramën” nuk ndodhi ata vazhdojnë të kërkojnë një mocion me debat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore