Shqipëria

“Rreziku mediatik” te fëmijët


Televizioni është një ndër mjetet më të përhapur të komunikimit publik. Ai ka rol në formimin e opinioneve qytetare tek të rriturit dhe ndikim shumë të rëndësishëm në ngjizjen e karakterit te fëmijët dhe adoleshentët.

“Komunikimi vulgar, dhuna dhe skenat e tepruara erotike në ekranet televizive përcillen edhe nga fëmijët. Si rrjedhim kërcënohet zhvillimi fizik, mendor dhe moral i tyre”.

Sipas Media Dia Diversity Institute (MDI), urgjenca e edukimit mediatik është njohur në Shqipëri, ndaj po ndërmerren veprime të mbështetura nga Komisioni Evropian, UNICEF, UNESCO, CFI Media Development dhe të tjerë në mbrojtje të fëmijëve.

Në një studim të Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit (KKRT), për respektimin e normave etiko-morale nga transmetuesit televizivë, rezultoi se rreth 90% e të anketuarve mendonin se teprohet me dhunën dhe seksin në ekranet televizive.

Sot programet televizive janë të llojllojshme. Larmia e tyre ndryshon nga stacioni në stacion dhe nga ora në orë.

Psikologia Valentina Telhaj për Albanian Post shpjegon se, në ditët e sotme, pranohet me shqetësim “rreziku mediatik”, në lidhje me trysninë që shkakton televizioni kryesisht te fëmijët – nëpërmjet teprimit me skena dhune të pajustifikuar dhe pamjeve e sekuencave erotike të papërshtatshme për moshën.

“Dhuna që po përjetojnë fëmijët përmes televizionit është një temë shumë e nxehtë”, thotë ajo. “Efektet që shkakton dhuna te fëmijët janë të mëdha, pasi i bën ata më agresivë, të dhunshëm dhe fillojnë ta shohin botën si një vend të frikshëm dhe të pasigurt”.

Nëna e një djali 10 vjeç, Mirjana Koka, për Albanian Post rrëfen se kaloi një periudhë të vështirë me të birin.

“Një ditë kur Andi im imitoi një sjellje karateje dhe më pas më pyeti ‘Hë mami, a e bëra fiks si tek ai filmi’, qesha, pasi mendova se ishte veç një sjellje imitimi. Por, pas disa kohësh, ai filloi të shfaqte shenja agresiviteti”.

“Rreziku mediatik” te fëmijët

Sipas studimeve, një fëmijë në Shqipëri sheh mesatarisht katër orë në ditë televizor.

Nëna 34-vjeçare thotë sesi djali i saj filloi të ngatërronte të vërtetën me trillimin.

“Unë e kuptova me shumë vonesë gabimin tim, duhet të isha kujdesur në kohë për djalin tim”.

Një sërë hulumtimesh janë kryer mbi këtë fenomen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Hulumtimet nga psikologët L. Rowell Huesmann, Leonard Eron dhe të tjerë, në fillimet të viteve ‘80, zbuluan se fëmijët, që kalonin shumë orë para televizorit, kur ishin në shkollën fillore, dhe shikonin kryesisht pamje të dhunshme, prireshin të shfaqnin nivele më të larta të sjelljes agresive gjatë adoleshencës.

Duke i vëzhguar këta pjesëmarrës në moshën madhore, Huesmann dhe Eron arritën në përfundimin se ata, që kishin parë shumë dhunë televizive kur ishin 8 vjeç, kishin më shumë gjasa të arrestoheshin dhe të ndiqeshin penalisht për vepra kriminale si të rritur.

Megjithatë, kërkimet e mëvonshme nga psikologët Douglas Gentile dhe Brad Bushman, ndër të tjera, sugjeruan se ekspozimi ndaj dhunës në media është vetëm një nga disa faktorë që mund të kontribuojnë në sjelljen agresive.

“Formësim dhe ndryshim i mendimeve”

Në një anketim që u zhvillua në Shqipëri në vitin 2019, sipas Telhajt, rezultoi se fëmijë të moshave 7-11 vjeç, që shikonin dhunën në televizor, kishin prirje më të madhe se ata që nuk shikonin për të pranuar frikën, ose faktin që dikush jashtë mund t’i dëmtonte.

“Është e vërtetuar shkencërisht se që pas pak minutash para televizorit, truri ndryshon nga valë vigjilente në valë hipnotike, ku qendra e gjykimit të trurit anashkalohet. Kështu dhuna që sheh fëmija pranohet nga truri, pa iu nënshtruar ndonjë gjykimi moral”, thotë Telhaj.

Sociologu dhe gazetari i njohur francez, Pierre Bourdieu, thotë se televizioni  ka aftësinë të na formësojë dhe ndryshojë mendimet.

“Duke qenë se fëmijët janë nën presionin e filmave me dhunë, krim, mashtrim, degradim moral, në moshën më delikate rrezikojnë formësimin e tyre edhe nga televizioni”, pohon Telhaj.

Përveç këshillave profesionale, ajo sjell në vëmendje edhe ligjin Nr. 8410, datë 30.9.1998 “Për radion dhe televizionin publik e privat në Republikën E Shqipërisë”.

Sipas tij, në Nenin 38, shprehimisht shkruhet “në radio dhe televizion nuk lejohet të jepen programe që nxisin dhunën, urrejtjen kombëtare, fetare e raciale, veprime antikushtetuese, ndarjen territoriale, diskriminimin për shkak të bindjeve politike dhe përkatësisë fetare”.

Psikologia këshillon prindërit që të tregohen shumë të kujdesshëm në përzgjedhjen e programeve televizive, si dhe vendosjen e orarit te fëmijët.

“Vetë programet speciale për fëmijët mundet të shkaktojnë frikë. Ndaj është shumë e rëndësishme që fëmija të ketë mundësinë të flasë me prindërit e tij. Edhe pse televizioni mund të ketë ndikim përkeqësues, nuk duhet të përjashtohet tërësisht, po të kontrollohen emisionet, me informacion pozitiv, argëtues”, përmbylli Telhaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore