Lajme

Rrezarta Pllana emërohet koordinatore për funksionalizimin e Fondit Sovran


Takimi i tretë i Komisionit Ekzekutiv për Fondin Sovran

Qeveria e Kosovës ka emëruar, Rrezarta Pllanën, koordinatore për funksionalizimi të Fondit Sovran.

Një gjë e tillë është bërë e ditur përmes një komunikate për media nga zyra e kryeministrit, në të cilën thuhet se në takimin e tretë me radhë të Komisionit Ekzekutiv për Fondin Sovran janë diskutuar dhe miratuar hapat e radhës për funksionalizimin e këtij Fondi.

“Në këtë takim është theksuar rëndësia e përshpejtimit të procesit të funksionalizimit të Fondit Sovran. Gjithashtu është diskutuar për funksionalizimin e grupit punues që do të jetë përgjegjës për hartimin e projektligjit për Fondin Sovran”, thuhet në komunikatë

Më tej bëhet e ditur se koordinatorja do të jetë përgjegjëse për strukturimin e ndërmarrjeve publike, si dhe propozimin për themelimin e grupit të ekspertëve që do të bëhen pjesë e grupit punues për hartimin e Ligjit për Fondin Sovran.

Zyra e Kryeministrit gjithashtu ka bërë të ditur se në takim kanë marrë pjesë ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe zëvendësministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi.

Qeveria e Kosovës, më 1 qershor ka miratuar draft koncept-dokumentin për themelimin e Fondit Sovran në mbledhjen e ekzekutivit.

Gjatë prezantimit të këtij koncept-dokumneti, Albin Kurti kishte thënë se me themelimin e Fondit Sovran, do të bëhet transformimi ekonomik dhe se do të ketë riorientim të investimeve dhe rritje të punësimit.

Me themelimin e Fondit Sovran, është synuar shuarja e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore