Shqipëria

Rrëshqitje gurësh në Prekal nga moti i keq


Kushtet e këqija atmosferike në veri të Shqipërisë kanë sjellë edhe rrëshqitje gurësh në Prekal të Shkodrës, ku një pjesë e rrugës është bllokuar.

Për shkak të rrëshqitjes së dherave dhe gurëve, e gjithë traseja e rrugës është e zënë.

Ndërsa, për kthimin e situatës në normalitet, po punohet nga vetë firma e kontraktuar, e cila po pastron rrugën nga mbetjet e rëna aty.

Dëme të tjera në qark nuk raportohen, pavarësisht se ka lajmërime për përkeqësim të situatës atmosferike dhe shtim të ndjeshëm të reshjeve.

Situata problematike parashikohet të ketë edhe në Kukës, Dibër dhe Lezhë, ku mund të ketë vërshim të lumenjve të vegjël malorë.

Në zonat urbane, në këto qarqe mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së kanalizimeve, sipas një njoftimi nga Shërbimi Meteorologjik Ushtarak.

Këto fenomene pritet të shoqërohen me shtrëngata në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Elbasan, Vlorë dhe Gjirokastër.

Në zonën e Alpeve parashikohen reshje tepër të dendura dëbore në formën e stuhive të dëborës.

Ndërsa në zonat malore në lartësinë mbi 800-900 metra reshje dëbore me intensitet të ulët.

Ndaj, bazuar në këto parashikimi, Agjencia e Mbrojtjes Civile në Ministrinë e Mbrojtjes kërkon nga autoritetet vendore rritjen e gatishmërisë së strukturave të sistemit të Mbrojtjes Civile që kanë në administrim.

Konkretisht: hidrovoret, rezervuarët, infrastrukturën rrugore, furnizimin me energji elektrike, furnizimin me ujë, monitorimin e nivelit të lumenjve dhe çdo strukturë tjetër që është në funksion të menaxhimit të emergjencave civile.

Agjencia thekson se do të qëndrojë në kontakt të vazhdueshëm me prefektura dhe bashkitë, sipas përcaktimit të shkallës së rrezikut, të cilat duhet të informojnë në kohë pranë Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile për çdo situatë të krijuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore